×
  • Lajme
  • Lajme / Zgjedhjet e 9 Shkurtit

    “Ky proces s’duhet të politizohet”, Perëndimi shpreh shqetësim për moscertifikimin e Listës Serbe

    Reporteri
    24 Dhjetor 2024 | 7:42

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e certifikoi të hënën Listën Serbe, partinë më të madhe të serbëve në Kosovë për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, duke nxitur reagime të faktorit ndërkombëtar.

    SHBA-ja u shpreh thellësisht e shqetësuar me këtë vendim.

    Një zëdhënës i Ambasadës Amerikane ka thënë për gazetën online Reporteri.net se ky veprim i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve mund të dëmtojë zgjedhjet e lira.

    “Jemi thellësisht të shqetësuar me veprimet e disa anëtarëve të Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) për të mos certifikuar kandidatët e Listës Srpska. Veprimet e KQZ-së rreptësisht duhet të kufizohen në zbatimin e standaredeve dhe procedurave ligjore dhe çdo vendim për moskualifikimin e kandidatëve duhet të bazohet vetëm në zbatim të barabartë të ligjit. Procesi zgjedhor duhet të jetë transparent, i besueshëm dhe pa ndërhyrje politike.”, ka thënë ai për gazetën online Reporteri.net.

    Nga ambasada thanë se veprime të tilla dëmtojnë parimet themelore demokratike të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, meqenëse ia çelin derën ndikimit subjektiv politik mbi procesin zgjedhor.

    “Ne jemi të shqetësuar nga përfshirja e hapur e kritereve të motivuara politikisht në procesin e certifikimit të kandidatëve në KQZ. Veprime të tilla dëmtojnë parimet themelore demokratike të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, meqenëse ia çelin derën ndikimit subjektiv politik mbi procesin zgjedhor.”

    Po ashtu Ambasada e SHBA-së vlerëson se përgjegjësit duhet të mesin rreptësisht vetëm në procedura ligjore, e jo në shqyrtime politike.

    ”KQZ-ja luan rol të rëndësishëm në mbikëqyrjen e zhvillimit të zgjedhjeve dhe për të siguruar që ligji zbatohet në mënyrë të drejtë dhe të paanshme. Përgjegjësitë e tij duhet të mbesin rreptësisht vetëm në procedurat ligjore, e jo në shqyrtimet politike.”, kanë vlerësuar nga Ambasada..

    Ambasada Amerikane u ka bërë thirrje palëve që kanë probleme me proceset e KQZ-së që të shfrytëzojë mekanizmat institucionalë në fuqi, përkatësisht Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

    SHBA thellësisht e shqetësuar për moscertifikimin e Listës Serbe: Veprimi i KQZ-së dëmton zgjedhjet e lira

    Pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shqetësim ka shprehur edhe Gjermania.

    Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se procesi i certifikimit është procedurë formale strikte që nuk duhet të politizohet.

    “Ndaj të njëjtat shqetësime me BE’në dhe SHBA’në lidhur me moscertifikimin e Listës Serbe. Zbatimi i barabartë i ligjit për të gjithë është esencial. Procesi i certifikimit është procedurë formale strikte që nuk duhet të politizohet”, ka shkruar Rohde në llogarinë e tij në platformën “X”.

    Pas ShBA’së, edhe Gjermania reagon për moscertifikimin e Listës Serbe: Procedurë që nuk duhet të politizohet

    Ndërkaq Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim me Evropë (OSBE)  ka thënë se procesi i certifikimit është një çështje procedurale që mbështet zgjedhjet demokratike dhe duhet të jetë pa konsiderata politike.

    “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka luajtur një rol kyç në nxitjen e demokracisë dhe lirive politike në Kosovë për dekada, me mbështetjen e vazhdueshme të OSBE-së. Misioni vëren me shqetësim se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot nuk e ka certifikuar Listën Serbe”, është thënë në reagimin e OSBE-së.

    “Procesi i certifikimit është një çështje procedurale që mbështet zgjedhjet demokratike dhe duhet të jetë pa konsiderata politike. Ne i bëjmë thirrje KQZ-së që të ruajë integritetin e procesit zgjedhor në Kosovë dhe të sigurojë që hapat e mëvonshëm të jenë gjithëpërfshirës dhe në përputhje me parimet demokratike”, thuhet tutje në reagim.

    Moscertifikimi i Listës Serbe, OSBE i bënë thirrje KQZ-së ta ruajë integritetin e zgjedhjeve

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e certifikoi të hënën Listën Serbe, partinë më të madhe të serbëve në Kosovë për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

    Për certifikimin e saj votuan dy anëtarë të Komisionit, shtatë abstenuan, ndërsa kundër votuan përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, duke theksuar se kjo parti e themeluar dhe e mbështetur nga Beogradi nuk e njeh shtetin e Kosovës./Reporteri.net/

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!