×
  • Lajme
  • Lajme

    Së shpejti pritet të fillojë ndërtimi i parkingut nëntokësor në kryeqytet, Ahmeti jep detaje rreth projektit

    Reporteri
    13 Tetor 2020 | 11:36

    Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, sot ka bërë të ditur që shumë shpejt do të fillojë implementimi i parkingut nëntokësor në qendër të kryeqytetit.


    Ahmeti në një konferencë për medie, ka thënë se rreth 30% e kaosit në komunikacion bëhet nga veturat të cilat janë duke kërkuar një vend parkimi, por kjo do të marrë fund së shpejti, shkruan Reporteri.net.

    Ai tha se do të zgjerohet hapësira e cila iu jep qasje veturave në parkingun nëntokësor.

    “Pasi do të mbyllet sheshi nga bulevardi George Bush deri te Katedralja ku do të ketë vetëm një korsi për autobusë dhe biçikleta, do ta zgjerojmë hapësirën e parkingut dhe pjesën e gjelbërimit te Fakulteti Filologjik. Do të krijojmë një hapësirë ku mund të hyjnë makinat në parkingje, sepse 30 për qind e trafikut krijohet nga makinat që janë duke kërkuar vende të parkingut”, tha Ahmeti.

    Ai ka njoftuar se Komuna e Prishtinës do të krijojë edhe aplikacionin i cili do të tregojë se ku ka vendparkim të lirë, për të shmangur kështu kaosin në trafik.

    Projekti i parkingut nëntokësor të Prishtinës do t’i ketë përafërsisht 700 vende të parkimit dhe do te ketë një hapësirë mbi 13 mijë metra katrorë.

    Ahmeti ka paralajmëruar se pas përfundimit të projektit, më nuk do të lejohen parkimet e veturave në hapësira mbitokësore e në trotuare, pasi që parkingu nëntokësor pritet të ketë një numër të mjaftueshëm të vendeve për parkim.

    Kompania e cila do të merret me kryerjen e punëve, ka thënë se parkingu do të përfundojë për 18 muaj, por Ahmeti shprehet optimist se nëse aktivizohen më shumë, ka gjasa të përfundojë edhe më shpejt.

    “Leja është marrë, kanë përfunduar të gjitha procedurat, i pyeta për sa e përfundoni, me kontratë e kanë për 18 muaj, por mendoj se nëse jemi më aktivë do ta përfundojmë më shpejtë, nëse nuk na shfaqen probleme tjera. Në fund të vitit të ardhshëm do të bëhet hapja, as zgjedhjeve e bëjmë hapjen e parkingut, mos të mendojnë se po bëhemi gati për ndonjë fushatë”, ka deklaruar i pari i Prishtinës. /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!