Sekretari Organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje, Alim Rama, pretendon për parregullësi në numërimin e votave me postë nga mërgata. Ai dyshon në rritjen e LDK-së nga votat e diasporës, specifikisht tek kandidati i kësaj partie Hysen Çekaj.
Zyrtari i VV-së thotë se votimi për Çekajn dhe të tjerët ‘është i kurdisur dhe i manipuluar nga një grup i organizuar’. Sipas Ramës, shumë fletëvotime që përmbajnë votën për Çekajn dhe të tjerët duken si kopje identike.
“…ngjashmëri kjo që ngre dyshime mbi autenticitetin e tyre. Ajo që bie në sy është fakti se përmes votimit në konsullatën e Shtutgardit, ku ai jeton, Çekaj ka arritur të sigurojë vetëm 33 vota. Ndërkohë, në të gjitha konsullatat e tjera në Gjermani, përfshirë ambasadën në Berlin, ai ka arritur t’i marrë 22 vota. Në ambasadat dhe përfaqësitë diplomatike në shtetet e tjera, votat për Çekajn shkojnë deri në 5”, ka shkruar Rama.
Ai deklaron se “parregullësitë” që pretendohen nga LVV-ja janë raportuar në polici dhe prokurori.
“Parregullsitë pikësëpari kanë të bëjnë me rritjen artificiale të LDK-së me mbi 400% krahasuar me votimin në përfaqësi diplomatike, por ato bëhen edhe më serioze kur analizohen votat për kandidatin e kësaj partie, Hysen Çekaj, si dhe të disa kandidatëve tjerë. Derisa në Kosovë ai ka marrë 11,268 vota dhe vetëm 98 nga votimi në ambasada, pas numërimit të votave me postë ai renditet si kandidati i tretë më i votuar, me plot 12,000 vota deri tash”, ka shkruar Rama.
Sipas tij, shpallja e qindra fletëvotimeve të pavlefshme, “përkundër qartësisë së vullnetit të votuesve, duket të mos jetë e vetmja parregullsi e evidentuar në këtë proces”.
“Rritja artificiale e LDK-së përmes votimit me postë, në shpërputhje të thellë me rezultatet në Kosovë dhe me ato në përfaqësitë diplomatike, ka ngritur dyshime mbi besueshmërinë e këtij procesi”, shkruan ai.