Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, ka thënë se LDK-ja në të gjitha nivelet e saj, madje edhe Hoti, kanë tentuar ta bindin deputetin Elbert Krasniqi që t’iu bashkohet në tentimin e tyre për të krijuar qeverinë e re.
E sipas tij LDK-ja i ka ofruar Krasniqit madje edhe një post ministri për vetëm një votë, porse edhe një ofertë të tillë Krasniqi sot e ka refuzuar.
“Elbert Krasniqi është kryetar i një subjekti politik që përfaqëson komunitetin egjiptian, dhe qysh në fillim i është bashkuar Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes. Ka pasur thirrje të mëdha dhe të shpeshta për ta braktisur Vetëvendosjen dhe për t’iu bashkuar atyre në themelimin e Qeverisë së re. Por, ata s’mund ta marrin atë e edhe sot ai ka deklaruar publikisht se s’do të bashkohet me askënd. Ai më ka bërë të ditur se ka pasur oferta nga të gjitha nivelet e LDK-së e edhe nga Hoti, madje i është ofruar edhe një post ministri për një votë. Ai ka refuzuar në mënyrën më të mirë të mundshme”, ka thënë Selimi në KTV, shkruan koha.
Krasniqi është pjesë e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, porse përfaqëson komunitetin egjiptian në Kosovë. Ai sot ka konfirmuar se ka refuzuar të gjitha ofertat nga partitë që duan të krijojnë një qeveri të re.