×
  • Lajme
  • -->
    Lajme

    Selimi: Nuk ishte e papritur ftesa e Specialës, por do t’i përgjigjem pozitivisht

    Reporteri
    12 Nëntor 2019 | 19:40

    Fitim Selimi, mjeku i UÇK-së që ka shërbyer gjatë luftës në Kosovë, është ftuar nga Gjykata Speciale në cilësinë e të dyshuarit.


    Ai në Info Magazine të Klan Kosovës ka dhënë më shumë detaje lidhur me ftesën që i është bërë nga Gjykata Speciale.

    “Ftesën e kam marrë dje nga Zyra e Prokurorit të Specializuar me obligimet që janë në kuadër të asaj përmbajtje që të paraqitem me datën 12 dhjetor, natyrisht me sqarimet shtesë lidhur me këtë”.

    “Përmes telefonit më kanë ftuar dy përfaqësues të asaj zyre që e kam përshtypjen se ishin hetues. Njëri ishte çek dhe tjetri suedez të cilët ma kanë dorëzuar ftesën me disa sqarime plotësuese”.

    Por, a e priste ai një ftesë të tillë nga Gjykata Speciale?

    “Nuk ishte e papritur sepse kam përshtypjen se të gjitha profilet që kanë qenë të angazhuar në kuadër të UÇK-së në angazhimet apo detyrat e tyre ushtarake po ftohen, në cilësi të dyshuarve ose të dëshmitarëve”.

    Selimi ka thënë se do t’i përgjigjet pozitivisht kësaj ftese, ndonëse ai nuk e ka përkrahur mënyrën se si kjo gjykatë është themeluar.

    “Natyrisht se do t’i përgjigjem pozitivisht sepse argumentet janë vazhdimisht në anën tonë. Realiteti që ishte është një realitet që nuk mund të ndryshohet nga askush dhe ne jemi të obliguar që atë realitet ta prezantojmë në secilën rrethanë që kërkohet nga ne”.

    “Pavarësisht që unë personalisht kisha pakënaqësi me formën se si është krijuar kjo gjykatë. Por, duke pasë parasysh që institucionet tona kanë dhënë vlerësimin që kjo gjykatë duhet të formohet nuk kam asnjë arsye që të mos i përgjigjem asaj thirrje dhe të japë kontributin tim”.

    “Nuk mund të ndryshohet as statusi i atij që ishte luftëtar i lirisë dhe as statusi i atij që ishte dhunues dhe okupues në Kosovë”.

    Ai ka deklaruar se do të paraqitet për intervistim në Hagë pa avokat mbrojtës.

    “Mendoj që është e mjaftueshme dija dhe mundësitë tona për të thënë të vërtetën pa prezencën e avokatit. Ne që kemi qenë përjetuesit e asaj situate dhe krijuesit e asaj lavdie e ndjejmë më mirë se çdokush që pretendon të avokojë për këtë vlerë”.

    “Mendoj se nuk mundet askush tjetër ta prezantojë më mirë atë të vërtetë”.

    Dr. Selimi ka treguar se si e ka pritur faktin që Gjykata Speciale e ka ftuar në cilësinë e të dyshuarit – duke marrë parasysh që ai kishte shërbyer si mjek i UÇK-së gjatë luftës.

    “Është e habitshme duke u nisur nga funksioni që kam pasë gjatë luftës për çlirim. Konsideroj që ajo gjykatë po bën përpjekje që të krijojë një mozaik nga të gjithë në mënyrë që të ketë konceptin e përgjithshëm të zhvillimeve”.

    “Aspekti ‘i dyshuar’ për kategorinë që ka qenë e profilizuar gjatë luftës, pavarësisht që ne kemi qenë ushtarë të UÇK-së për t’iu përgjigjur të gjitha detyrave dhe obligimeve që ka ushtari, ne kemi qenë të profilizuar dhe ju kemi përgjigjë nevojave të qytetarëve dhe ushtarëve të UÇK-së në aspektin e mbrojtjes shëndetësore”.

    Por, si e komenton ai ftesat e Speciales edhe për ata që nuk kanë qenë ish-ushtarë osë ish-udhëheqës të UÇK-së?

    “Ftesat kanë shkuar edhe për ata që kanë qenë entuziast për ta njohur atë realitetin tonë dhe që kanë pasë vullnetin për ta përqafuar atë zhvillim tonin. Informacionet nuk merren vetëm direkt nga ata që kanë qenë pjesëmarrës të luftës dhe krijuesit e asaj vlere, por edhe nga ata që në mënyrë indirekte kanë kontaktuar”.

    “Më e rëndësishme është fakti që kjo gjykatë është krijuar në mënyrë selektive. Kjo gjykatë nuk është krijuar për t’iu qasur një zhvillimi siç ishte lufta e Kosovës, por është krijuar që t’i qasemi pjesës çlirimtare e cila e bënte luftën për lirinë e vet”.

    “Është e pakuptimtë kur para syve tanë sillen kriminelët e Serbisë të cilët kanë ushtruar gjenocid në Kosovë dhe për ata nuk ndërmerret veprim serioz për t’i cilësuar të tillë çfarë ishin”.

    Ish-mjeku i UÇK-së ka treguar më shumë detaje saktësisht se çfarë detyrash ka kryer gjatë luftës në Kosovë në cilësinë e mjekut të UÇK-së.

    “Unë kam qenë udhëheqës në Brigadën 121 Kumanova “Ismet Jashari” dhe kam pasë angazhime edhe në cilësi të shefit të Sektorit të Shëndetësisë pranë Shtabit të Përgjithshëm në një periudhë të caktuar të zhvillimit të luftës”.

    “Detyra ime kryesore ka qenë që ta krijojë një mbarëvajtje në funksionimin e sektorit duke e përpiluar një rregullore të veprimtarisë shëndetësore në UÇK. Atë rregullore e kam përpiluar, e kam dorëzuar në Shtabin e Përgjithshëm ku është miratuar dhe në bazë të asaj kemi vepruar”.

    “Funksionimi sipas skemës organizative dhe strukturës ushtarake ka shkuar në mënyrën më të mirë të mundshme. Sipas asaj skeme, ne e kemi ofruar përkujdesjen që e ka mbuluar gjithë territorin ku kanë qenë zhvillimet ushtarake”.

    “Kemi pasë Spitalet Ushtarake, Ambulancat Ushtarake dhe kanë qenë edhe pikat shëndetësore që janë lidhur ngushtë me njësitet ushtarake në vijën e frontit”.

    Selimi ka thënë se nuk ka më shumë informacione se për çfarë saktësisht do të intervistohet në cilësinë e të dyshuarit pranë Dhomave të Specializuara me seli në Hagë.

    Shpërndaje:
    -->
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!