×
  • Lajme
  • Lajme

    Serbia alarmon se po mungojnë ilaçet në veri, Kosova ia zbulon rrenën

    Reporteri
    24 Qershor 2019 | 20:03

    Zyrtarë të Qeverisë së Serbisë po deklarojnë se në katër komunat veriore të Kosovës është duke u krijuar një katastrofë humanitare duke thënë se në Mitrovicën e Veriut,  Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok janë mbyllur të gjitha dyqanet ushqimore si dhe barnatoret për shkak të taksës që ka vendosur Kosova ndaj mallrave nga Serbia. Ata thonë se farmacitë atje nuk po mund të furnizohen me barna nga Serbia. Por në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se në pjesën veriore të Kosovës gjenden dy depo farmaceutike në të cilat të gjitha barnatoret që operojnë atje, mund të furnizohen me barna.


    Radosh Petroviq, Goran Vllashkoviq, Bojan Jakshiq – Cojo, Sllavisha Staniq, Radulle Steviq e që të gjithë këta besohet se udhëhiqen nga Stevo Paviçeviq, janë disa nga emrat e serbëve që sipas Qeverisë së Kosovës po mundohen që ta destabilizojnë  pjesën veriore të Mitrovicës duke u munduar që të shpallin katastrofë humanitare. Të gjithë këta persona sipas ekzekutivit kosovarë, tash e një kohë janë duke bërë përpjekje në katër komunat veriore, që dyqanet t’i lenë pa gjëra elementare.

    Por, nga Qeveria e Kosovës po paralajmërojnë se do t’i dënojnë të gjitha përpjekjet e tilla të këtyre individëve që sipas Qeverisë po mundohen që ta destabilizojnë vendin.

    “Përpjekjet nga akterë të ndryshëm, zyrtarë dhe afaristë serbë në Veri të Mitrovicës të koordinuar me Beogradin zyrtar, për të paraqitur katastrofë humanitare në këtë pjesë të Kosovës janë të papranueshme dhe të dënueshme. Boshatisja e dyqaneve, ku nuk gjenden as artikuj elementarë me prejardhje nga Serbia, është plani që po përgatitet nga njerëz të caktuar në veri, për të cilën Qeveria e Kosovës është e informuar”, deklarojnë nga Qeveria e Kosovës.

    Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj thotë se nuk do të qëndrojë duarkryq karshi veprimeve të këtyre individëve.

    “Sipas burimeve të mekanizmave të sigurisë së Kosovës, ky organizim do të asistohet me logjistikë dhe forma tjera edhe nga organizata e ashtuquajtur ‘Civilna Zastita’ në veri, e cila udhëhiqet nga Stevo Paviçeviq. Ne nuk do të qëndrojmë duarkryq përballë këtyre tendencave për destabilizim dhe ftojmë kryetarët e komunave në veri dhe qytetarët të mos bien pre e këtyre provokimeve”, deklarojnë tutje nga zyra e kryeministrit Haradinaj.

    MST: Ministria e Shëndetësisë: Në komunat veriore ka depo të licencuara farmaceutike, barnatoret të furnizohen me barna

    E ndërkohë, zyrtarët serb, tashmë po deklarojnë se në këto komuna me shumicë serbe tashmë janë mbyllur edhe barnatoret, dhe se ilaçe për qytetarët atje tash e disa ditë nuk ka.

    Po ky lajm po përgënjeshtrohet nga ana e zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë.

    Nga ky institucion shëndetësor kanë bërë me dije për Gazetën Express se në pjesën veriore të Kosovës gjenden dy depo farmaceutike në të cilat të gjitha barnatoret që operojnë atje, mund të furnizohen me barna.

    “Ministria e Shëndetësisë informon qytetarët e komunave Leposaviç, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, se në territorin e tyre gjenden dy (2) depo të licencuara farmaceutike të cilat operojnë në bazë të ligjeve dhe akteve nënligjore në fuqi në Republikën e Kosovës nga ku ata mund të furnizohen me barna që kanë nevojë. Qytetarët e këtyre komunave janë shtetas të barabartë në Republikën e Kosovës dhe ata mund të furnizohen në cilëndo pjesë të vendit ku operojnë subjekte të qarkullimit me produkte farmaceutike”, thuhet në përgjigjen që zyrtarë të MSH’së i kanë dhënë Expressit.

    Ndërkohë, nga MSh sqarojnë se Inspektorati Farmaceutik (IF), nuk ka ndërmarrë së fundmi asnjë lloj procedure të inspektimit të barnatoreve dhe apo pikave shitëse të barnave në komunat Leposaviç, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, rrjedhimisht, IF. Pra nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë nuk është mbyllur asnjë barnatore.

    Kujtojmë se nga rreth 3700 produkte të regjistruara në Kosovë, vetëm rreth 3 apo 4 për qind   janë produktet nga Serbia.

    Nga qindra prodhues serb të cilët i kanë të regjistruara barnat e tyre në Kosovë vetëm tre janë nga Serbia, dhe nga ata tre dy janë kompani ndërkombëtare (Stada – Gjermani dhe Actavis Islandë). Edhe ato pak barna që vijnë nga Serbia kanë zëvendësim tjetër në Kosovë.

    E plani i Serbisë, parasheh që të boshatisen të gjitha dyqanet, marketet dhe barnatoret nga artikujt elementarë ushqimorë dhe nga të gjitha llojet e barnave. Mësohet gjithashtu se për të hënën është planifikuar të organizohet konferencë me medie në veri të Mitrovicës, ndërsa janë ftuar edhe ato të Beogradi, ku njerëz të caktuar do ta pasqyrojnë “gjendjen e rëndë, katastrofën humanitare në pjesën veriore të Kosovës”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!