Autoritetet serbe kanë vazhduar me gjuhën e militarizuar referuar ngjarjeve në Kosovë. Ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviç, tha se Ushtria e Serbisë “nuk dëshiron konflikte e luftëra” por se “është e gatshme të mbrojë vendin dhe të gjithë qytetarët e saj”, raporton gazeta online Reporteri.net.
Duke vizituar kazermat ushtarake në Rashkë dhe Novi Pazar, Vuçeviç tha se “lidershipi politik do të bëjë gjithçka për të ruajtur paqen dhe stabilitetitn” por se “Forcat e Armatosura janë argumenti më i fuqishëm parandalues ndaj atyre që s’kanë dëshira dhe qëllime të mira ndaj vendit tonë”.
“Edhe një herë fitova besimin dhe në bisedën me të vjetrit dhe ushtarët mora konfirmimin se ushtria serbe është e gatshme të kryejë çdo detyrë që do të marrë nga Komandanti Suprem për të mbrojtur integritetin e vendit tonë, sovranitetin e Republikës së Serbisë dhe mbrojtjen e të gjithë qytetarëve të saj”, tha Vuçeviç.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, njoftoi se më 15 dhjetor do t’i drejtohen Komandantit të KFOR-it për kthimin e 1 mijë trupave serbe në Kosovë, duke u thirrur në Rezolutën 12/44, raportoi Radio Evropa e Lirë në gjuhën serbe, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Më 8 dhjetor, i ashtuquajturi drejtor i një zyreje të vetëquajtur për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviç, tha se Serbia është duke e shqyrtuar kthimin e 1 mijë trupave serbe në Kosovë, ngase, siç thoshte ai, KFOR-i dhe EULEX-i “nuk po e kryejnë punën e tyre”.
Këtë “rikthim” autoritetet serbe e kanë kërkuar për shkak të rritjes së pranisë së Policisë së Kosovës në pjesën veriore të vendit, pas sulmeve të njëpasnjëshme të bandave në veri mbi zyrtarët e ruajtjes së rendit dhe atyreve të kuvende komunale zgjedhore.
Për këto sulme, Policia e Kosovës e ka arrestuar njërin nga autorët, ish-polic i komunitet serb në Kosovë, Dejan Pantiç, arrestim ky që pasoi me barrikadimin e një rruge në pjesën veriore të Kosovës./Reporteri.net/