×
  • Lajme
  • Lajme

    “Sërish shpifje”, Ministrja Nagavci reagon për raportimet rreth punësimit të vajzës në Ministri të Financave

    Reporteri
    24 Maj 2022 | 22:19
    Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci

    Një medium online sot ka raportuar se vajza e Ministres së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavcit, është punësuar në Ministrinë e Financave.

    Pas këtij raportimi ka reaguar Nagavci, e cila ka thënë se vajza e saj është e angazhuar në këtë ministri që nga 20 janari i vitit 2020, kur Vetëvendosje s’ishte në qeveri, shkruan Reporteri.net.

    Ka deklaruar se angazhimi i vajzës në MF vjen si obligim shkaku i një burse që ka fituar.

    “Lajmi ‘’Edhe ministrja Arbërije Nagavci e “rehatoi” në heshtje vajzën në Ministrinë e Financave’’ është lajm tendencioz dhe i pavërtetë. Dua të njoftoj opinionit publik se vajza ime Mirjeta Nagavci është angazhuar prej 20 janarit 2020, kur ne nuk ishim në qeverisje, dhe ky angazhim i saj vjen si obligim që ka për shkak të bursës së fituar nga Young Cell Scheme siç edhe mund ta shihni në fotografinë më poshtë. Për këtë shpifje unë do t’i adresohem Këshillit të Mediave të Shkruara për të proceduar pastaj me Padi”, shkroi Nagavci.

    Ministrja ka bërë edhe një reagim për një raportim tjetër. I njëjti medium ka raportuar se “Nagavci shkeli ligjin në vitin 2020, duke mos i deklaruar të hyrat e vajzës”.

    Nagavci ka thënë se tek deklarimi i pasurisë për vitin 2021 i ka deklaruar të hyrat e vajzës.

    “Edhe si deputete e edhe si ministre gjithnjë kam deklaruar pasurinë ashtu siç parasheh ligji. Çdo vit zyrtarët publik raportojnë të hyrat e tyre dhe familjarëve dhe siç mund ta shihni edhe në foton më poshtë tek deklarimi i fëmijëve në vitin 2021 kam raportuar për vitin paraprak edhe të hyrat e vajzës sime nga ministria në fjalë.

    Në anën tjetër, ky portal me pa të drejtë më akuzon që nuk i kam kthyer përgjigje anipse kanë tejkaluar secilën procedurë duke më shkruajtur privatisht dhe me SMS kësisoj duke anashkaluar emailin zyrtar dhe zyrën për media në kuadër të Ministrisë. Po ashtu, unë aktualisht ndodhëm në vizitë zyrtare jashtë vendit çka e bën edhe më të pamundur komunikimin. Përveç kësaj nga koha e dërgimit të mesazhit deri te publikimi i lajmit ka shumë pak hapësirë kohore çka paraqet edhe tendenciozitetin e këtij lajmi”, ka shkruar Nagavci./Reporteri.net.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!