Dritat u ndezën. Shfaqja nisi.
Nga kjo e hënë, në ekranin e Klan Kosovës, kthehet me sezonin e katërt Kiks Kosova, emisioni që i ka kushtuar tre vjet të plota hulumtimeve, zbulimeve dhe ngritjes së zërit për ata që shpesh nuk dëgjohen, nga ata që janë të thirrur ti dëgjojnë ata.
Producentja dhe autorja e emisionit, Ardiana Thaçi Mehmeti ka thënë se ky vit do të jetë ndryshe, jo vetëm për temat e guximshme, por edhe për formatin e ri dhe një ekip të zgjeruar.
“Kemi shumë risi këtë vit. Përveç që jemi rritur si ekip, kemi zgjeruar edhe shtrirjen tonë të transmetimit. Këtë sezon do të jemi pesë ditë në javë në transmetim, çdo mbrëmje nga ora 19:00. Kjo është një arritje e madhe për ne, por edhe një përgjegjësi për të qenë më pranë publikut tonë.”
Kiks Kosova vazhdon misionin e tij për të vënë nën dritën e reflektorëve çështjet më të nxehta të vendit, duke trajtuar të gjitha problemet që shpesh mbyten nga indiferenca institucionale.
Erjona Gjikolli qe eshte autore e emisionit, tha se për ata që institucionet ua kanë mbyllur derën, ky emision do të shndërrohet në një rrugë shpëtimi.
Kjo pasi këtë sezon është ideuar një rubrikë e veçantë që do t’u japë zë halleve të qytetarëve dhe do të përpiqet të ofrojë zgjidhje konkrete.
“Kiksi ka krijuar një foltore të re. Kjo foltore do të udhëtojë në çdo komunë, në çdo fshat të Kosovës me një pyetje të vetme: ‘Çka nuk shkon në qytetin tënd?’ Kjo është mënyra jonë për të qenë më pranë qytetarëve. Brenda ditës, nëse është e mundur, do të përpiqemi që të adresojmë dhe të zgjidhim problemet e tyre.”
Prostitucion, drogë, mashtrime, gënjeshtra, dhunë dhe shkelje ligji – këto janë vetëm disa nga temat që Kiks Kosova do të trajtojë këtë sezon me guxim dhe përkushtim.
Sipas Thaçi Mehmeti, ekipi i gazetarëve hulumtues të emisionit kanë punuar për të zbuluar të vërtetat më të ashpra të shoqërisë sonë, dhe do ti sjellin ato përpara publikut pa filtra dhe pa frikë.
“Episoda e parë e këtij sezoni do të jetë një super-episodë. Që nga nesër do të shihni promon e kësaj episode, që trajton temën e prostitucionit – një plagë shoqërore që shpesh fshihet nga sytë e publikut, ” tha ndër të tjera Thaçi Mehmeti.
Një nga risitë më interesante të këtij sezoni është shtimi i aktorit Alban Makolli në ekipin e Kiks Kosovës.
“Alban Makolli, i njohur si Alban Shllunga, do të sjellë një dimension të ri në emision. Ai do të përmbushë një rol të rëndësishëm me humor, ironi dhe sarkazëm, duke zbutur peshën e rëndë të temave që ne trajtojmë. Është shumë e rëndësishme për ne që të krijojmë një balancë mes hulumtimeve të rënda dhe një qasjeje që publiku të mund ta përjetojë më lehtë,” ka shtuar Gjikolli.
Nga e hëna deri të premten, çdo ditë nga ora 19:00, Kiks Kosova do të jetë pranë shikuesve të tij ekskluzivisht në Klan Kosova. Ky sezon nuk është vetëm një vazhdim, por një hap i ri përpara, drejt të vërtetës dhe drejt zgjidhjeve.