Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë vendosur në “Listën e Zezë” ish-zëvendëskryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Artan Grubin dhe Enver Bexhetin, gjyqtar në Gjykatën e Apelit të Maqedonisë së Veriut , shkruan Reporteri.net.
Në njoftim thuhet se ata janë përfshirë në korrupsion. Pjesë e kësaj liste janë edhe familjarët e ngushtë të Grubit.
“Në bazë të nenit 7031(c), Departamenti i Shtetit cakton publikisht Artan Grubin dhe Enver Bexhetin për përfshirjen e tyre në korrupsion të konsiderueshëm duke pranuar ryshfet për të minuar proceset gjyqësore të lidhura me dënimin penal të Sasho Mijalkov, drejtor i Administratës për Siguri të Maqedonisë së Veriut dhe Kundërzbulimi (UBK). Mijalkov u përcaktua në vitin 2022 për korrupsion të konsiderueshëm sipas nenit 7031(c), dhe OFAC e sanksionoi atë në përputhje me E.O. 14033. Në kuadër të këtij aksioni caktohen edhe familjarët e ngushtë të Grubit”, thuhet në njoftim.
Vendimi i DASH-it për Grubin dhe Bexhetin vjen rreth një muaj pasi ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Ageler, paralajmëroi më 21 nëntor për zgjerimin e listës së zezë edhe me persona të tjetër të dyshuar për krim dhe korrupsion në Maqedoninë e Veriut.
Ndërkohë, Aggeler tha se vendimi i 9 dhjetorit i DASH-it për Grubin dhe Bexhetin “është dëshmi se ndërhyrja politike në gjyqësor nuk mund dhe nuk do të tolerohet”.
“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë t’i [fusin në listën e zezë] ata të cilët përfshihen në korrupsion të madh, i cili i minon institucionet demokratike dhe prish besimin publik. Askush nuk është mbi ligjin, ndërsa llogaridhënia është jetike për të përparuar”, tha Aggeler.