×
  • Lajme
  • Lajme / LAJMI I FUNDIT

    SHBA: Qeveria e Kosovës po rrezikon qytetarët e saj dhe ushtarët e KFOR-it me veprimet e pakordinuara në veri

    Reporteri
    05 Gusht 2024 | 22:33

    Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është shprehur e zhgënjyer me vendimin e Qeverisë së Kosovës për mbylljen e degëve të Postës së Serbisë në veri, duke e cilësuar si veprim të njënashëm dhe të pakoordinuar, shkruan Reporteri.net.

    Në reagimin e ambasadës thuhet se këto veprime rrezikojnë qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR’it.

    “Veprimet e pakoordinuara të Kosovës rrezikojnë qytetarët kosovarë dhe ushtarët e KFOR-it, përshkallëzojnë tensionet rajonale pa nevojë dhe minojnë reputacionin e Kosovës si një partner i besueshëm ndërkombëtar. Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës të ndalojë çdo veprim të mëtejshëm të njëanshëm dhe të kthehet në angazhimin konstruktiv në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja për të zgjidhur çështjet që lidhen me normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.”, thuhet në reagim.

    Edhe Bashkimi Evropian e ka quajtur të njëanshëm dhe të pakoordinuar këtë vendim. Sipas BE-së, një veprim i tillë shkel dialogun mes dy vendeve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

    “Veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara nuk mund të ofrojnë zgjidhje për këtë dhe çështje tjera, që i përkasin procesit të normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë. Mbyllja e shërbimeve ekzistuese për serbët e Kosovës, pa një marrëveshje të arritur paraprakisht, do të ndikojë negativisht në përditshmërinë dhe kushtet e jetesës së këtij komuniteti”, ka thënë blloku evropian përmes një deklarate.

    BE-ja i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të rishqyrtojë këtë vendim dhe të gjejë një zgjidhje të negociuar në kuadër të dialogut.

    Blloku ka rikujtuar që në kuadër të marrëveshjeve të arritura për telekomunikacionin, më 2013 dhe 2015, dy palët janë pajtuar që për shërbimet postale të diskutohet “në një fazë të mëvonshme”, dhe kështu, sipas BE-së, është kuptuar që kjo çështje mund të adresohet vetëm përmes dialogut.

    Policia e Kosovës ka thënë të hënën se ka mbyllur tri degë të Postës së Serbisë në Mitrovicë të Veriut, tri në Leposaviq, dy në Zveçan dhe një në Zubin Potok.

    Zyrtarë të saj kanë thënë se kanë nisur aksionin policor pasi kanë marrë informacione nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) se në territorin e Kosovës po operojnë operatorë ekonomikë pa licencë dhe që nuk janë të regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK).

    BE: I njëanshëm dhe i pakoordinuar vendimi për mbylljen e degëve të Postës së Serbisë në veri

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!