×
  • Lajme
  • Lajme

    Shefi i shtabit të VV-së bënë thirrje që të ndalen kërcënimet ndaj Shpend Ahmetit për dëbim nga Kosova

    Reporteri
    09 Tetor 2019 | 20:39

    Shefi i shtabit të VV-së në zgjedhjet e 6 tetorit, u ka bërë thirrje aktivistëve të partisë së Albin Kurtit që të përmbahen nga arroganca dhe kërcënimet që disa zyrtarë të kësaj partie kanë bërë në drejtim të kryetarit të Prishtinës Shpend Ahmeti.


    Reagimi i tij ka ardhur pasi Sali Zyba i VV-së dhe një aktivist tjetër i kësaj partie, menjëherë pas fitores së Albin Kurtit, kërcënuan kryetarin e Prishtinës me dëbim të tij nga Kosova.

    Ky është reagimi i plotë i tij:

    Të nderuar aktivistë, vullnetarë e mbështetës të Lëvizjes Vetëvendosje, të nderuar qytetarë të Kosovës,

    Fillimisht urime secilit prej jush për fitoren e madhe të 6 tetorit. Dhe faleminderit për mbështetjen e parezervë të manifestuar edhe përmes daljes masive në vendvotime. Me 6 tetor e përmbyllëm një fushatë shumë intenzive, shumë të pastërt dhe afirmative nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje, por edhe nga subjektet tjera pjesëmarrëse ne zgjedhje.

    Fitorja është e madhe për arsye se edhe pritjet e qytetarëve nga qeverisja e re janë shumë të mëdha. Si qytetarët e vendit ashtu edhe miqtë tanë nga regjioni e më larg, me të drejtë presin që qeveria e re të prezantojë një qasje komplet ndryshe si ndaj buxhetit të shtetit ashtu edhe ndaj aseteve e ndërmarrjeve publike; si ndaj nxënësve ashtu edhe pensionistëve; si ndaj punëtorëve ashtu edhe ndërmarrësve; si ndaj gruas ashtu edhe të rinjve; si ndaj qytetarëve këtu (pa dallim etnie) ashtu edhe mërgatës. Një qasje bashkëpunuese ndaj opozitës. E parasëgjithash një fjalor në komunikim që reflekton respekt ndaj secilit e për secilin.

    Dhe kanë të drejtë në këto pritje. Është tejet e rëndësishme që secili prej nesh, pamarrë parasysh deputet apo asambleist, aktivist apo mbështetës, të dëshmojmë secilen ditë të lume që këto pritje do të përmbushen. Që gjuha përçmuese e përçarëse që ka qenë e zakonshme në komunikimin e ish pozitës me ne, përfundimisht i takon së kaluarës. Që secili qytetar i vendit të ketë arsye të ndihet rehat nën qeverisjen tonë.

    Vetëm kështu tregojmë se e meritojmë besimin që na është dhënë më 6 tetor.

    Shumë faleminderit.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!