Pas vendimit të Gjykatës Supreme që fletëvotimet e ardhura nga Serbia të mos jenë pjesë e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të 6 tetorit, ka reaguar ish-shefi i Grupit Parlamentar të Nismës, Bilall Sherifi.
Sherifi ka thënë se situata nëpër të cilën ka kaluar partia e tij gjatë kohës kur nuk dihej se a do ta kalonin pragun, ishte e vështirë, shkruan Reporteri.net.
“Situata që kemi kaluar kohëve të fundit, sidomos gjatë përpjekjeve që me ndihmën e 3104 votave të ardhura në mënyrë ilegale nga Serbia t’i eliminojnë nga përfaqësimi më shumë se 42 mijë qytetarë të Kosovës në Kuvendin e Kosovës, ishte tejet e vështirë”, ka shkruar Sherifi.
Ai tërë këtë situatë e ka përshkruar me një thënie të Martin Luther-King e cila thotë: “Në fund, nuk do t’i kujtomë fjalët e armiqve, por heshtjet e miqve tanë”.
“Ajo që më së shumti më ka rënduar në periudhën që kemi kaluar sintetizohet në mënyrë brilante në thënien e famshme të Martin Luther-King: “Në fund, nuk do t’i kujtomë fjalët e armiqve, por heshtjet e miqve tanë. Sidoqoftë, nuk harrojmë as ata që në këto momente të rënda na qëndruan afër dhe kishin besim që ligjshmëria do të ngadhënjejë në Kosovë!”, ka shkruar Sherifi.