×
  • Lajme
  • Lajme / Java e tretë

    Shkeljet në fushatë, mbi 300 mijë euro totali i gjobave të PZAP-së për partitë politike deri më tani

    Reporteri
    29 Janar 2025 | 9:07

    Fushata zgjedhore në Kosovë ka hyrë në javën e tretë. Fushata intensive e shpeshherë me gjuhë të ashpër,  po u kushton partive politike edhe me gjoba të majme.

    Deri më datën 27.01.2025, vlera e gjobave të shqiptuara për partitë politike në Kosovë ka arritur mbi 300 mijë euro.

    Kështu kanë bërë të ditur për gazetën online Reporteri.net nga Paneli Zgjedhor për Ankesa e Parashtresa. PZAP ka bërë të ditur se që nga fillimi i fushatës e deri më tani, ky organ ka nxjerrë 63 vendime me të cilat janë gjobitur subjektet politike të ndryshme, dhe totali i atyre gjobave të shqiptuara është 307,400.00 euro.

    “Deri me datë 27.01.2025, PZAP-i ka nxjerr 63 vendime me të cilat janë gjobitur subjektet politike të ndryshme, dhe totali i atyre gjobave të shqiptuara është 307,400.00 euro”, thuhet në përgjigjen e PZAP-së për Reporteri.net.

    Nga këto gjoba nuk ka shpëtuar asnjëra parti, duke përfshirë Vetëvendosjen, PDK-në, LDK-në, AAK-në, Listën për Familjen si dhe partitë tjera më të vogla.

    Edhe të martën PZAP-ja ka trajtuar gjashtë ankesa duke i hedhur poshtë gjashtë nga to, ndërkaq i ka shqiptuar gjobë 5 mijë euro Lëvizjes Vetëvendosje e 2 mijë euro Partisë Liberale Egjiptiane.

    Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike me 1.280 kandidatë.

    Për dallim nga zgjedhjet e kaluara, kur heshtja zgjedhore fillonte një ditë para votimeve, me ndryshimet ligjore të këtij viti, ajo tashmë do të fillojë një minutë para hapjes së qendrave të votimit – në orën 07:00  dhe do të zgjasë deri në mbylljen e tyre, në orën 19:00 të 9 shkurtit.

    Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e pavarësisë më 2008. /Reporteri.net/

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!