Shoferi i ‘Deva Tours’ vozit autobusin deri në 120 km/h në Austri, nuk sinjalizon për ndërrim të korsisë

Disa pamje të cilat po qarkullojnë në rrjete sociale, tregojnë mënyrën se si një shofer i agjensionit Deva Tours, nget autobusin i cili ndodhej në trafik në Austri.


(I plotësuar) Sipas një qytetari, shoferi nuk ka dhënë asnjë sinjal gjatë ndërrimit të korsisë ndërsa thotë se shpejtësia e autobusit në ato momente ishte 120 km/h.

 

Kjo ndonëse kushtet atmosferike shihen me shi, aspak të përshtatshme për një ngasje të tillë dhe se kjo gjendje shkakton edhe komunikacion të dendur, shkruan KlanKosova*.

Nëse në këtë autobus gjenden pasagjerë, nuk është e konfirmuar.

Pak pas publikimit të këtyre pamjeve nga Klan Kosova, në facebook-un e Gazetës Online ‘Reporteri.net ka ardhur një reagim nga Andi Avdiaj, i cili ka folur në emër të kompanisë së autobusit që shihet në pamje.

“Më së pari, ju si gazetë e keni për qellim të jepni informacione të sakta e jo thashetheme që dikush i ka postuar dhe ti vazhdoni. Këto gjëra janë propaganda që janë në dëmtim të firmës,e cila ende s’është rikuperuar prej aksidentit në Kroaci. Ende plaga për familjet të cilat kanë pësuar prej aksidentit s’janë as gati të mbyllen”, ka shkruar personi në fjalë që reagoi në emër të kompanisë ‘Deva Tours’.

Kujtojmë se mëngjesin e së dielës së javës së kaluar, një autobus i po të njëjtit agjension turistik, u aksidentua në Kroaci, ku si pasojë humbën jetën 10 mërgimtarë kosovarë të cilët ishin nisur për në Kosovë nga Gjermania.

*Portali i Klan Kosova ka bërë disa ndryshime në titull dhe tekst, pak minuta pasi ka publikuar artikullin, dhe pasi artikulli dhe videot janë shpërndarë në mediat tjera.