Një shpërthim ka ndodhur sot në Stan Tërg, gjatë procesit të zbrazjes së hirit nga një cisternë transportuese, shkruan Reporteri.net.
Rastin e ka konfirmuar edhe vetë ndërmarrja “Trepça”, ku ka bërë me dije se menjëherë është ndërhyrë nga ekipi teknik. Rasti ka ndodhur gjatë ndërrimit të parë, rreth orës 10:15, gjatë procesit të zbrazjes së hirit nga një cisternë transportuese në ambientet operative të Trepçës.
Gjatë kyçjes së zorrës së kamionit, është dëgjuar një zhurmë në pjesën e sipërme të cisternës dhe është konstatuar dëmtimi i kapakut, duke sjellë daljen e një sasie të vogël hiri në sipërfaqe dhe krijimin e një shtrese pluhuri para objektit.
‘ Menjëherë është ndërhyrë nga ekipi teknik, janë kryer kontrollet e nevojshme, dhe është konstatuar se pajisjet ndihmëse (gypi i sillosit dhe zorra e zbrazjes) ishin funksionale. Sipas vlerësimeve fillestare, shkaktari i mundshëm është dobësimi i bulonave të kapakut, që ka lejuar rritjen e presionit dhe dëmtimin e tij. Fatmirësisht, nuk është raportuar asnjë lëndim dhe asnjë dëm material. Pas ndërhyrjes teknike, pajisja është rikthyer në funksion të rregullt dhe puna ka vazhduar normalisht”, thuhet në njoftim.