×
  • Lajme
  • -->
    Shqipëria

    276 fëmijë në Shqipëri të prekur me coronavirus

    Reporteri
    08 Shtator 2020 | 20:47

    276 fëmijë janë prekur nga coronavirusi në Shqipëri që nga fillimi i epidemisë. 13% e tyre janë ende të sëmurë aktivë dhe në 14 shtator nuk do të shkojnë në shkollë.


    Në shërbimin infektiv të Pediatrisë janë të shtruar 8 fëmijë të cilët po e kalojnë më rëndë coronavirusin për shkak të komplikacioneve që u ka shkaktuar Covidi. Për fat, deri tani nuk ka pasur humbje jete në moshat pediatrike, por shefja e infektivit tregon për A2 se nuk kanë munguar rastet e rënda.

    Kuli thotë se numri i fëmijëve të infektuar mund të jetë më i lartë se shifrat zyrtare. Me rikthimin e nxënësve në shkolla, ajo parashikon rritje të rasteve pozitive ndaj ka disa këshilla për prindërit: “Të jenë të kujdesshëm për fëmijët e tyre, çdo mëngjes t’i masin temperaturën dhe nëse kanë qoftë edhe temperaturë të lehtë, duhet ta izolojnë fëmijën, jo t’i japin paracetamol dhe ta dërgojnë në shkollë”.

    Me fillimin e virozave, shenjat e gripit mund të ngatërrohen me Covidin.

    Infeksionistja Kuli thotë se edhe për shenjat më të lehta, fëmijët duhet të mbahen në shtëpi derisa mjeku i familjes të aprovojë rikthimin në shkollë.

    Këtë vit pandemie, shefja e Infektivit rekomandon kryerjen e vaksinës së gripit tek të gjithë fëmijët. Periudha më e mirë për kryerjen e vaksinës së gripit është fundi i muajit tetor, fillimi i nëntorit. Ky injeksion duhet bërë kur fëmija është në gjendje të mirë shëndetësore. Ndërsa për çdo shenjë të ngjashme me Covidin apo gripin, prindërit nuk duhet të përdorin mjekim pa rekomandimin e mjekut.

    Shpërndaje:
    -->
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!