×
  • Lajme
  • Shqipëria

    70-vjeçari holandez mëson shqip, ky është mendimi i tij për Shqipërinë

    Reporteri
    12 Maj 2019 | 22:14

    “Gjuha shqipe është shumë e vështirë dhe shumë e koklavitur”. Kështu thotë 70 vjeçari holandez Ernst Roessingh i cili ka mësuar gjuhën shqipe.


    Prej një viti e gjysmë, Ernst është shpërngulur nga Holanda për të jetuar në vendin tonë, pasi bashkëshortja e tij erdhi këtu me punën. Kur u tregonte miqve holandezë se do të banonte në Shqipëri, fytyrat e tyre shtrembëroheshin, pasi e konsiderojnë territorin shqiptar të rrezikshëm.

    “Nuk është se Holanda nuk e pëlqen Shqipërinë, por nuk e njeh atë. Imazhi që kanë krijuar për vendin tuaj nuk është i mirë dhe të jem i sinqertë, njësoj mendoja edhe unë para se të vija të jetoja këtu. Por, menjëherë ndryshova mendim. Pavarësisht se politika është problem i madh këtu, ju keni një vend fantastik, natyrë shumë të bukur dhe njerëz shumë të dashur e të shoqërueshëm”, tha Ernst Roessingh, raporton Top Channel.

    Kur kthehet në vendlindjen e tij, zoti Ernst tregon përshtypjet më pozitive për Shqipërinë, pasi sheh shpresë te të rinjtë. Propozimin e Holandës për rikthimin e vizave për shqiptarët, ai e shikon të gabuar dhe i fton ata ta vizitojnë vendin tonë.

    “Ndihem shumë i lirë teksa eci këtu dhe madje kam dëgjuar një grua gjermane, kur tha se ndihet më e sigurtë në Tiranë sesa në Amsterdam. Ndaj duhet të vini ta shikoni nga afër Shqipërinë, e pastaj ta gjykoni”, tha më tej Ernst Roessingh.

    Traditat që ruhen, toleranca fetare, por sidomos ushqimi, kanë bërë për vete holandezin, që nuk flet për krimin shqiptar në kombin e tij.

    “Përpiqem të gatuaj ndonjëherë vet darkën në shtëpi, por ju keni restorante shumë të mira me ushqim tipik shqiptar, që nuk i konkurroj dot”, tha Roessingh.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!