Inceneratorët në Shqipëri futën një ish-ministër në burg, turpëruan figura publike, e fatkeqësisht përlyen edhe mediat – pronar i njërës prej së cilave është oligarku shqiptar Irfan Hysenbelliu.
Kompania mediale “Focus Media News”, brenda saj Fax Tv dhe Fax News, u pagua me para të majme nga kompanitë e inceneratorëve të Klodian Zotos dhe Mirel Mërtirit, raporton CNA.al.
Ortak i vetëm me 100% të kapitalit të kësaj kompanie mediale është “Focus Group”. Pra, grupi i oligarkut Irfan Hysenbelliut.
“Fokus Media News” e Irfan Hysenbelliut ka marrë pagesa sistematike nga kompanitë e inceneratorëve, sipas CNA.al.
Vetëm në gjysmën e parë të 2021, “Focus Media News” në Shqipëri, mori gati 100 milionë lekë [800 mijë euro] nga kompania e Klodian Zotos, të inceneratorëve.
Kompani mediale “Fax Media News” sipas ekstraktit të QKB rezulton me 90% të aksioneve ne pronësi të KEDO GROUP, e cila është në pronësi të familjarëve të të ndjerit Kasem Hysenbelliu, vëllai i Irfan Hysenbelliut.
Këto pagesa kanë ardhur në formë reklamash, edhe pse Focus Media News, sipas CNA, nuk ka publikuar asnjë reklamë me muaj të tërë.
Pyetjen se pse dikush duhet t’i paguajë mediat në mënyrë sistematike për muaj të tërë, ndërkohë që të njëjtat nuk shfaqin reklamat fare, duhet ta japë Prokuroria.
E regjistruar më 2002 nga Carlo Bolino sipas ekstraktit zyrtar, Focus Media News ka ortak të vetëm me 100% të kapitalit kompaninë “Focus Group”, që është në pronësi të oligarkut Irfan Hysenbelliut. Kjo kompani mediale administrohet nga ish-ministri i Ilir Metës, Mustafa Muçit, sipas CNA.
Pasi këtë kompani Hysenbelliu e bleu nga Carlo Bolino, CNA thotë se është përplasur me bankierin e ndjerë, Artan Santon.
Atëbotë sipas mediave dhe rrethit shoqëror që kishin folur, përplasja e Hysenbelliut me Sanon kishte kaluar në kërcënime.
Oligarku Hysenbelliu shpesh u aludua në media si një ndër pistat nga ku Prokuroria e Shtetit duhej të fillonte hetimet.
Hysenbelliu nuk është i vetmi por një nga shumë media që ka marrë pagesë nga inceneratorët.
Shefat e kompanive të inceneratorëve që prodhuan skandalin më të madh në Shqipërinë e këtij shekulli, sipas CNA, pos Hysenbelliut kanë paguar edhe shumë media të tjera.
Kompanitë e inceneratorëve që kanë blerë media, në mesin e tyre edhe ato të Hysenbelliut, janë paguar nga taksat e shqiptarëve të Shqipërisë, 178 milionë euro kontrata koncesionarë, në një aferë që pretendohet që shkon deri në 430 milionë euro.