Pas arrestimit të mjekut Edvin Prifti, SPAK i ka gjetur bllokun me shënime ku shkruante të gjithë emrat e pacientëve dhe lekët që u merrte për operacionet.
Ndërkohë sipas informacioneve për Report Tv, një ndër provat e sekuestruara të SPAK gjatë hetimit janë edhe shënime ku ishin shkruar emrat e pacientëve dhe lekët që ata i kishin dhënë.
Gruaja e Edvin Prifti ka deklaruar se paratë ishin të sajat, të përfituara nga një kontratë shitje. Mësohet se paratë që u sekuestruan nuk janë marrë nga banka.
Mjeku i njohur kardiokirurg Edvin Prifti u arrestua nga SPAK me akuzën e korrupsioni dhe marrjen e ryshfetit.
Atij iu gjetën në shtëpi 250 mijë euro dhe 160 milion lekë, pasi emri i doli në përgjime në kuadër të operacionit për arrestimin e gjyqtares Enkelejda Hoxha.
Gjithashtu, Report Tv raporton se në SPAK kanë mbërritur denoncime të tjera në drejtim të Priftit nga të afërm të pacientëve se i ka kërkuar para në këmbim të kryerjes së operacioneve. Mirëpo, një detaj i ri që del, është se Prifti ka denoncuar më herët një qytetar nga Lushnja me pretendimin se e shantazhonte, Ky i fundit, sipas informacioneve, i kërkonte mbrapsht paratë, pasi operacioni që kishte kryer Prifti nuk kishte dalë me sukses.
Mjeku Edvin Prifti u la pak ditë më parë në burg, pasi Prokuroria i shtoi akuzën për pastrimin e parave, por sot avokatët kanë depozituar në Gjykatën e Apelit kërkesën për lirimin e tij.