Arrestohet 37 vjeçari në Gjirokastër, shpërndante doza të heroinës e kanabisit

Policia e Shtetit kanë arrestuar një 37-vjeçar në Gjirokastër i cili shpërndante lëndë narkotike heroinë dhe kanabis, në doza.

Sipas njoftimit të policisë, janë sekuestruar 73 doza heroine, doza kanabisi dhe një shumë parash e përfituar nga kjo veprimtari kriminale.

Sipas policisë, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, për një rast të shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Katrori”.

Si rezultat i këtij operacion, është arrestuar në flagrancë shtetasi A.M., 37 vjeç, banues në Gjirokastër, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit në banesën e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë kanë gjetur 73 doza me lëndë të dyshuar narkotike heroinë dhe disa doza me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, gati për shitje, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me një shumë parash të përfituar nga kjo veprimtari kriminale dhe një aparat celular.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.