Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i ktheu përgjigje kryeministrit Edi Rama, i cili në Twitter i kishte kërkuar që të sqaronte popullin “mbi historinë e të kaluarës së tij si hetues i UÇK-së”.
Në Facebook, Basha shkroi: “Rama vazhdon cicërimat në vend që të bëjë detyrën. Shqipëria është në kulmin e infektimit, ndërsa Rama është mbërthyer pas Instagramit. Po të shkulej nga Instagrami, do ta shihte sa e rëndë është gjendja. Të sëmurët, familjet dhe mjekët i ka braktisur pa asnjë ndiihmë. Rama shkatërroi ekonominë dhe tani po shkatërron jetët dhe shëndetin e njerëzve. Edhe sa shqiptarë duhet të humbin jetën për fajin e tij?”
E menjëhershme kundërpërgjigjja e Ramës: “Lulëzim sa më shumë i shmangesh përgjigjes për kontributin tënd në raportin e Dick Marty, aq më shumë e pranon faktin e tmerrshëm se je pjesë e asaj loje të ulët për njollosjen e UÇK, ndërkohë që unë nuk dua ta besoj këtë dhe të bëj thirrje të dalësh e ta sqarosh popullin shqiptar! Sharjet e akuzat qesharake për mua si fajtor pse në Shqipëri numrat e të infektuarve po rriten si kudo, s’të mbrojnë dot nga kjo hije e të kaluarës që këto ditë të rënda për Kosovën, vetëm zmadhohet e rëndohet nga bishtnimi yt! Dil sqaro rolin tënd në atë raport të turpshëm”.