Për ditën e dytë radhazi, kryetari i PD-së i është drejtuar Prokurorisë Speciale Antikorrupsioni (SPAK) për të folur në lidhje me stadin e hetimeve për inceneratorët e Tiranës, Fierit e Elbasanit.
Në një konferencë për median, Basha iu drejtuar direkt kreut të SPAK, Arben Kraja, duke i kërkuar publikisht që të dalë sot përpara shqiptarëve dhe të tregojë se në çfarë stadi ndodhet hetimi, kush janë prokurorët që po e ndjekin çështjen që sipas Bashës është kryevjedhja e shekullit.
Rama e ka gjetur të gatshëm planin e qeverisë gjermane dhe ky plan mund të zbatohej me transparencë e garë të hapur, e po të ndodhte kështu, Shqipëria i ka të gjitha mundësitë që trajtimi i plehrave të bëhet në mënyrë bashkëkohore dhe në mënyrë që shteti të mos nxjerrë asnjë kacidhe nga buxheti.
Rama i vuri shkelmin ekspertizës gjermane dhe Bankës Botërore dhe ka kryer pa garë, pa tender e në sekret koncesione që janë fituar nga nje person.
Asnjë kompani e regjistruar ofshore nuk do të lejohet më të marrë pjesë në konkurrim e jo më të fitojë tendera.
Shqiptarët kanë paguar 75 mln euro dhe këto para nuk dihet se ku kanë shkuar. Ndaj dua të përsëris kërkesën drejtuar SPAK, Arben Krajës i kërkoj të dalë e të flasë publikisht në cilin stad ndodhen hetimet ndaj inceneratorëve.
Është e pafalshme që SPAK të heshtë siç hesht Rama, Veliaj, Arben Ahmetaj. Kjo ju vendose në anën e gabuar të historisë. Ndaj sot, i bëj thirrje të dalë e t’i tregojë shqiptarëve se në çfarë stadi janë hetimet, kur do të pyeten Rama, Ahmetaj, që brenda një dite të vetme me 9 institucione, morën 17 vendime për t’i dhënë 400 mln euro në tendera një kompanie me vetëm 1 mijë euro buxhet.
Ku kanë shkuar paratë e shqiptarëve që tani kanë më shumë nevojë se kurrë për bukën e gojës dhe ilaçe?