Teksa Bashkimi Europian pritet të miratojë fondet e Planit të ri të Rritjes për Shqipërinë, Kryeministri Edi Rama dha detaje për procesin gjatë një komunikimi online me ndjekësit e tij.
“Bëhet fjalë për 64.5 milionë Euro që vijnë drejtpërdrejtë nga Bashkimi Europian për Shqipërinë, 30 milionë Euro janë për buxhetin e shtetit si mbështetje për reformat e axhendës kombëtare të reformave”, u shpreh Edi Rama.
Kryeministri Edi Rama e ka konsideruar një shenjë pozitive për ecurinë e negociatave.
“Kjo është një tjetër shenjë shumë e qartë e faktit që ne jemi duke ecur me shpejtësi sipas ritmit të përcaktuar edhe nga negocitatat për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian”, tha kreu i qeverisë.
Gjatë bashkëbisedimit, u ndal edhe te situata e brendshme politike, kur akuzoi Sali Berishën se po mban peng PD.
“Pra të gjithë solidaritetin tim dhe të gjithë solidaritetin tonë përballë sulmeve kafshërore edhe deri kundër familjes së tij”, tha Rama.
Kryeministri shprehu edhe një herë mbështetjen ndaj Dumanit, përballë sulmeve të Sali Berishës, që sipas tij synon ta shkrijë insitucionin që drejton.
“Ka një buf kënete dhe nuk është në një hapësirë demokratike politike, por është në një kënetë politike dhe këtë e tregoi shumë qartë dhe praktika shumë hipokrite, shumë skuthe, shumë e pabesë, e atyre gjoja Primareve”, shtoi kryesocialisti.
Kryeministri Edi Rama, zhvilloi bisedë telefonike edhe me drejtuesin e Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Ballën, ku ndanë detaje për takimin me shqiptarët në Kretë dhe Athinë.
Balla zbuloi se dy javë pas takimeve në Greqi, do të rikthehen me takime në Itali.