×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Berisha jep sinjale për normalitet në kuvend, mosbindja civile në rrugë

    Reporteri
    04 Nëntor 2024 | 15:35

    Nisja e diskutimit të buxhetit për vitin 2025 duket mund t’i japë fund, të paktën përkohësisht, aksionit të opozitës në Kuvend, shkruan A2 CNN.

    Tonet e mëhershme ultimative për të vijuar rrugën e nisur, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, duket se po i zbut, teksa pohon se po diskutohet cili do të jetë qëndrimi në Kuvend. Kthimin në normalitet demokratët duket se mund ta justifikojnë me propozimet konkrete që do të dërgojnë.

    “Një vendim do të merret, por qëndrimi ynë është i prerë, minimumi jetik 200 euro për çdo shqiptar. Ky është ligji i të gjitha ligjeve që ne do të mbrojmë në parlament”, tha Berisha.

    Jo vetëm ligji për minimumin jetik, por Partia Demokratike do të kërkojë më shumë mbështetje për pensionistët dhe statusin e minatorit. “Ne do të dërgojmë dy ligje. Minimumin jetik 200 euro, të llogaritur nga Avokati i Popullit dhe ILO. Jorida Tabaku ka bërë një amendament për minatoret. Këto janë dy amendamentet, por kryeamendamenti është ai i minimumit jetik”.

    Lideri i opozitës e quajti projektbuxhetin e depozituar nga qeveria në Kuvend si më çnjerëzorin ndër vite, ku sipas tij nuk është menduar për qytetarin, por vetëm për të vjedhur. “Ky buxhet nuk ka nevojë për komente të tjera, por mund të vlerësohet si buxheti i vjedhjeve më të mëdha në histori. Si buxheti i varfërimit dhe mjerimit më të madh në histori. Si buxheti i dëbimit të shqiptarëve më shumë se çdo buxhet tjetër në historinë e vendit”.

    Berisha premtoi se aksioni i opozitës do të vijojë në rrugë, ku kërkoi mbështetjen e qytetarëve për të vazhduar mosbindjen civile.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!