Ministri në detyrë për Punë të Jashtme në Shqipëri, Gent Cakaj është takuar sot me homologun e tij sllovak, Miroslav Lajçak, me të cilin ka biseduar për tri tema të rëndësishme.
Cakaj përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka theksuar se Shqipëria dhe Sllovakia do të vazhdojnë bashkëpunimin dypalësh dhe koordinimin e vazhdueshëm në kuadër të OSBE-së.
Statusi i plotë i Cakajt:
Diskutimi me Ministrin e Jashtëm të Sllovakisë, Lajçak, është zhvilluar mbi tre shtylla kryesore:
E para, ekziston një nevojë reale për rritje të bashkëpunimit në çështje dypalëshe,
me theks të veçantë në fushën tregtare dhe ekonomike. Për t’i dhënë jetë këtij qëllimi, Komisioni i Përbashkët Ekonomik Shqiptaro-Sllovak do të mblidhet së shpejti.
Së dyti, procesi i hapjes të negociatave për anëtarësim me Shqipërinë është shumë i nevojshëm për të thelluar reformat e ndërmarrura në pesë prioritetet kyçe dhe po ashtu një investim i vlefshëm gjeostrategjik në Ballkanin Perendimor në përgjithësi. Sllovakia dhe vendet e Grupit të Vishegradit ofrojnë mbështetjen e plotë për hapjen e negociatave në Qershor të këtij viti.
Së treti, bashkërendimi i qëndrimeve politike dhe këmbimi i përvojave është jetik për angazhimet e përbashkëta në kuadër të OSBE-së. Duke pasur parasysh se Shqipëria do ta merr kryesimin e OSBE-së në vitin 2020 nga Sllovakia, konsulltimi për
prioritetet programatike dhe koordinimi në çështje tjera administrative është i rëndësisë thelbësore për një tranzicion të butë dhe kryesim të suksesshëm të OSBE-së.
Shqipëria dhe Sllovakia do të vazhdojnë me përkushtim bashkëpunimin e frytshëm dypalësh dhe koordinimin e vazhdueshëm në kuadër të OSBE-së!