Një tjetër mjek ka humbur jetën si pasojë e koronavirusit. Doktor Mihal Kerci humbi jetën disa orë më parë pas një jave në terapi intensive.
Mjeku Kërci ka qenë edhe kryetari i Shoqatës së Anestezi-Terapi Intensive.
Mjeku prej disa ditësh ishte në gjendje të rëndë për shkak të komplikacioneve që i shkaktoi Covid-19. Kerci është mjeku i 25 që ka humbur jetën si pasojë e koronavirusit që prej fillimit të pandemisë në Shqipëri.
Lajmin për humbjen e tij e ka dhënë Tritan Shehu, i cili përmes një postimi në rrjetin social Facebook shkruan se kjo është një ditë zije për Anestezi-Reanimacionin e mjekësinë shqiptare.
“Një “Requiem” per Prof. Dr. Mihal Kerci!
Sot ditë zije për Anestezi-Reanimacionin e mjekësinë shqiptare!
Disa orë më parë, pas jave përpjekje, disa herë shpresash, më tej dëshpërimesh në humbëm një nga kolegët tanë më të mirë, Kryetarin e Shoqatës sonë të Anestezi-Terapi Intensive, mikun e vlefshëm, njeriun e ditur, të mirë e të pa përtueshëm, Mihalin tonë!
Familja e tij humbi atë pjesëtar, bashkëshort e baba shembullor.
Studentët nuk do të dëgjojnë më leksionet e tij plot shkencë e pasion, pacientët nuk do ta kenë më në momentet më të veshtira të tyre mbi kokë, duke u transmetuar shpresë, besim e qetësi!
Anestezi-Reanimacionit shqiptar e Rajonal do t’i mungojë një nga “kolonat” e organizatorët më të vlefshëm të tij, zëri i tij nuk do të degjohet me plot dije e eksperiencë në Konferencat, debatet, diskutimet tona….
Do na mungojë të gjithëve, familjarëve, kolegëve, shokëve, miqve, të sëmurëve që presin të shërohen…qytetarëve në tërësi.
Ta kujtojmë gjithmonë ashtu siç ishte në jeten e punen e tij!Ngushëllimet më të sinqerta e të dhimbeshme”, shkruan Shehu.