×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Dalin detaje rrëqethëse për çiftin shqiptar që u gjetën të copëtuar

    Reporteri
    17 Dhjetor 2020 | 9:07

    Detaje të reja trondisin rrethanat e zhdukjes në Itali të çiftit shqiptar Shpëtim e Teuta Pasho.


    Shpëtim e Teuta Pasho 54 e 52 vjeç të zhdukur në 2 nëntor 2015, u gjetën të copëtuar dy ditë më parë, të futur në 4 valixhe të hedhura në afërsi të murit rrethues të burgut të Sollicianos në provincën e Firenzes.

    Zhdukja e 40 mijë eurove, dalja e djalit nga burgu në të njëjtën ditë të zhdukjes së tyre, shpallja në kërkim e tij nga drejtësia italiane, era e keqe që vinte nga grazhdi i shtëpisë, janë disa nga detajet e reja që përpiqen të hedhin dritë mbi rrethanat e zhdukjes së çiftit shqiptar.

    Por njëherësh komplikojnë punën e autoriteteve italiane të cilët po hetojnë gjerësisht në sferën familjare për të zbardhur autorin e motivet e kësaj vrasje makabre.

    Në emisionin “Chi l’ha visto” në kanalin RAI 3 të televizionit publik italian,u trajtua gjerësisht kjo ngjarje duke zbardhur detaje të forta.

    Shpëtim e Teuta Pasho janë zhdukur në datën 2 nëntor 2015 e në të njëjtën ditë kur do të dilte nga burgu djali i tyre Taulant Pasho, i dënuar për trafik droge.

    Dorina Pasho, vajza e çiftit, deklaroi se prindërit kishin ardhur në Itali për të takuar djalin që do të dilte nga burgu dhe se në telefonin e saj me një numër anonim kishte telefonuar një zë gruaje duke i thënë se ishte Teuta, pra nëna e saj, duke kërkuar që nuk dëshironin të flisnin më me askënd”.

    Dorina thotë se “nuk mundi ta kuptojë nëse ishte nëna e saj ose jo, dhe se kësaj telefonate nuk i dha mjaft rëndësi atë ditë.”

    Një tjetër detaj i rëndësishëm në rrethanat e kësaj ngjarje është sjellja e djalit të tyre Taulant Pasho dhe të fejuarës së tij të cilët banonin pak metra larg burgut të Sollicianos.

    Taulant Pasho prej vitit 2016 është një person i shpallur në kërkim nga drejtësia italiane për trafik lëndësh narkotike.

    Sipas dëshmisë së Dorinës, në ditën e zhdukjes, pra më 2 nëntor 2015, prindërit do të shkonin në banesën e Taulantit për të pritur daljen e tij nga burgu. Por sipas deklaratës së të fejuarës ata nuk kishin mbërritur në shtëpinë e tyre.

    Një tjetër detaj është zhdukja e 40 mijë euro që çifti Pasho kishte me vete gjatë udhëtimit të tyre në Itali. Shpëtim Pasho kishte pësuar një aksident të rëndë dhe këto para ishin dëmshpërblim i dhënë nga kompania e sigurimit. Por as paratë e as veshjet e asnjë send personal i çiftit nuk janë gjetur që nga momenti i zhdukjes së tyre. Në dhomën që çifti Pasho kishte marrë me qera gjatë qëndrimit të tyre disa javor në Itali, nuk është gjetur asgjë.

    Fqinjët e apartamentit ku jetonte e fejuara e Taulantit kanë rrëfyer në mikrofonin e RAI 3, dhe një tjetër detaj se nga garazhi i apartamentit të tyre për shumë kohë vinte një erë e keqe e janë detyruar të informojnë autoritetet shëndetësore për të kontrolluar.

    Me gjetjen e trupave të çiftit shqiptar, enigmat e zbardhjes së motiveve të kësaj vrasje makabre e të autorit të krimit janë bërë më të komplikuara.

    Autoritetet policore kanë marrë në pyetje për shumë orë dy vajzat e çiftit Dorina e Viktoria Pasho.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!