×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Debati për turizmin, përfshihet edhe Edi Rama – publikon video të plazheve të Velipojës me në fokus flamurin e Kosovës

    Reporteri
    13 Korrik 2024 | 17:53

    Pas publikimit të disa fotografive e videove të plazheve të zbrazura në Shqipëri që u interpretuan se ka mungesë të turistëve për shkak të çmimeve të larta, në këtë debat është përfshirë edhe kryeministri Edi Rama.

    Në një video të publikuar në faqen e tij të Facebook ai shfaq plazhin e Velipojës më plot pushues, ndërsa në fillim të pamjeve fokuson edhe flamurin e Kosovës.

    Plazhi i Velipojës është ndër destinacionet më të frekuentuera në Shqipëri nga pushuesit kosovarë.

    Në Shqipëri ka nisur një debat nëse çmimet e shtrenjta po largojnë turistët, ndërsa ka edhe të tjerë që e kundërshtojnë këtë.

    Rama shtoi se Shqipërisë nuk i duhet thjesht që të rritet numri i turistëve të huaj, por duhet që vendi të kthehet në një destinacion për të gjithë kategoritë e turistëve. Rama në fund të muajit prill kishte thënë se Shqipërisë nuk i duhet turizëm masiv, duke e theksuar se është më mirë që aty të shkojnë 100 mijë turistë që shpenzojnë më shumë sesa 1 milion që shpenzojnë më pak.

    “Ne nuk na duhet një Shqipëri destinacion i turizmit masiv. Ne nuk na duhet thjesht të rrisim numrin e vizitorëve të huaj, ne na duhet një vend që i ekuilibron të gjitha shtresat dhe kategoritë e turistëve dhe që arrin të formulojë një ofertë, ku nuk janë numrat në pamje të parë që kanë rëndësi, por është cilësia e numrave. Çfarë do të thotë cilësia e numrave, do të thotë që në varësi të konsumit të një turisti përcaktohet edhe sa interes ke dhe me çfarë pasojash e ushqen këtë interes, që të kesh 1 milion turistë që konsumojnë pak çdo ditë, apo sa interes ke që të kesh 100 mijë turistë më shumë që konsumojnë shumë çdo ditë“ kishte thënë Rama.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!