Kriza dhe rritja e çmimeve kanë ngritur qytetarët në këmbë edhe sot kundër qeverisë së kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Për të tretën ditë, që në orët e para të mëngjesit, qytetarët kanë nisur protestat anembanë vendit.
Fillimisht, mëngjesin e sotëm në Lushnje, fermerët bllokuan rrugën e njohur si ‘Shesh pushimi i Shoferëve’ mirëpo nuk zgjati shumë pasi ndërhyri Policia. Më pas, protestat nisën edhe në Korçë. Studentët e universitetit ‘Fan Noli’ marshuan në shenjë revolte kundër rritjes së karburantit dhe produkteve të shportës ushqimore.
Ata lanë mësimin për t’iu bashkuar thirrjeve të qytetarëve për protestë, ndërsa tubimit të nisur prej tyre iu bashkuan dhe qytetarë të tjerë, e deputetët Edmond Spaho dhe Sotira Koti. Në Fier, po ashtu u zhvilluan protesta. Në orët e para të mëngjesit 70 drejtues të furgonëve që transportojnë nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme në Fier protestuan para bashkisë. Edhe në Bulqizë qytetarët dolën sot në rrugë me mjetet e tyre duke kundërshtuar rritjen e çmimit të naftës.
Në Tiranë nisi gjithçka në mesditë me marshimin nga studentët e Universitetit Bujqësor të Tiranës. Ata u nisën nga Instituti me këmbë drejt sheshit “Skënderbej” dhe bashkë me pjesën tjetër të qytetarëve nisën revoltën në orën 17:00. Fillimisht ata u grumbulluan përpara Kryeministrisë, ku një nga një, aktivistë të shumtë morën fjalën dhe u bënë thirrje shqiptarëve të jenë të bashkuar për të nisur nesër marshimin kombëtar në orën 11:00. Mes tyre ishte edhe aktori i humorit, Florjan Binaj.
Si dy ditët e mëparshme, as sot nuk mungoi dhuna, terrori i efektivëve apo edhe shoqërimet me forcë. Madje në Durrës u filmuan edhe efektivë policie civilë që terrorizonin protestuesit me armët e shërbimit. Episode dhune u regjistruan në shumë qytete, në Berat një protestues u tërhoq zvarrë, në Lezhë një i ri u fut me forcë në makinë sepse po kundërshtonte shoqërimin e të motrës, në Durrës e Tiranë pati përplasje gjithashtu. Deri më tani, numërohen të paktën 300 të shoqëruar, ndërsa 15 janë shpallur në kërkim.
Në Berat shoqërimet u bënë me mjetet luksoze ‘Range Rover’ që Policia e Shtetit i mori dhuratë nga Bashkimi Evropian për ‘të fortët’ e Operacionit Forca e Ligjit. Sikur kriza ekonomike të mos ekzistonte kurrë, qytetarët u hipën në fuoristradën që pagën e tyre të 30 ditëve e shpenzon brenda pak orëve. Kulmi i protestës ishte në orën 19:00 ku çdo aks rrugor në Tiranë ishte bllokuar dhe qytetarët synuan Zogun e Zi. Aty ndërhynë qindar efektivë për t’i zmbrapsur dhe situata u normalizua më pas. Protestuesit u zhvendosën në trotuare, ndërsa mjetet kalonin lirshëm.
Nafta kapi rekordin mbrëmjen e djeshme ku u regjistrua çmimi rekord prej 290 lekë për litër. Protestat e qytetarëve kanë detyruar shitësit e naftës të bëjnë një reflektim në çmim, ku sot ka nisur rënia. Çmimi për litër sot është 223 lekë të reja. Vetë Kryeministri Edi Rama, qytetarët e revoltuar nuk i konsideron popull. Në një postim në Tëitter nga Antalia, Turqi ku dhe ndodhet sot, Rama shkruan se protestuesit që kanë mbushur çdo shesh në Shqipëri nuk janë popull, janë hijet e ‘nongratas’ referuar Berishës. Sipas tij, këto protesta janë një përpjekje e ulët për të manipuluar njerëzit, por ndjekësit nuk e kursyen duke e quajtur edhe psikopat. Në komente, shqiptarët iu kundërvunë Ramës teksa shkruanin se jeta është bërë e pamunfur për ta me këto çmime.
Thirrje ka pasur edhe nga ana e Presidentit Ilir Meta.
Protesta kundër rritjes së çmimeve, Meta: Policia të distancohet nga ndalimet e pajustifikuara
Përmes një reagimi zyrtar, Meta dënoi dhunën ndaj protestuesve dhe i bëri thirrje qeverisë t’i dëgjojë. Nesër është paralajmëruar një marshim kombëtar që nis në orën 11:00. E për këtë, kryeministri Rama ka marrë masa, pasi ka fortifikuar Kryeministrinë me dyer metalike.
Nesër protestë kombëtare në Tiranë, blindohen dyert e kryeministrisë