Pas dorëheqjes së Lulzim Bashës ka reaguar ambasada Amerikane në Tiranë. Në reagimin e saj Ambasada Amerikane vlerëson aktin e dorëheqjes së Lulzim Bashës duke e cilësuar atë si shenjë udhëheqëse.
“Vendimi i marrë nga Lulzim Basha sot për t’u dorëhequr si Kryetar i Partisë Demokratike meriton respekt. Vënia e interesave të partisë dhe të vendit mbi ato personale është shenjë e udhëheqësisë së vërtetë. Shpresojmë që vendimi do të përcaktojë rrugën që Partia Demokratike të ecë përpara drejt së ardhmes; do të forcojë marrëdhënien e veçantë të Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara; do të përforcojë mbështetjen për reformat dhe përpjekjet e tjera për qëllimin e Shqipërisë për t’iu bashkuar Bashkimit Europian; dhe do të ritheksojë parimet dhe idealet demokratike mbi të cilat u themelua. Një opozitë e fortë që mund të jetë e gatshme për të udhëhequr është thelbësore për demokracinë. Mbështetja e Shteteve të Bashkuara për demokracinë dhe përkushtimi për të luftuar korrupsionin dhe pandëshkueshmërinë mbeten të pandryshuara”, thuhet në reagimin e ambasadës së SHBA-së në Tiranë.
Kryedemokrati Lulzim Basha është dorëhequr nga drejtimi i partisë duke theksuar se kështu i hap rrugën ribashkimit të partisë.
Ndër të tjerash, Basha tha gjatë fjalës së tij se nuk është momenti për të shpjeguar se çfarë ka ndodhur gjatë këtyre viteve që ai u përpoq të rikthente PD-në në pushtet, por se ishte momenti për të bërë një hap pas në mënyrë që partia të ribashkohej. /Reporteri.net/.