×
  • Lajme
  • Shqipëria

    E konfirmon e ëma, Artan Lame ka vdekur: M’u shua shpresa që mu ngjall dje

    Reporteri
    23 Maj 2025 | 14:13

    Zemra e Artan Lames pushoi së rrahuri përfundimisht këtë të premte pasi qëndroi në koma cerebrale, si pasojë e një operacioni të rëndë që kreu. Lajmin e trishtë e konfirmoi bashkëshortja Mirela dhe e ëma e tij.

    “Unë jam Tani dhe do jem përgjithmonë! Të dua përjetësisht zemërbardhi im”, shkroi Mirela Lame në Facebook.

    Ndërkohë mamaja e tij, tha se ky moment i mallkuar që erdhi i shuajti atë shpresë që iu ngjall dje.

    “Shpresoja sepse më premtoi që do kthehej. “Nuk e kam mendjen te e nesërmja (që do operohej) jam mirë, jam i qetë, por po përqendrohem te Muzeu.” Edhe nga gjumi ta zgjoje për Muzeun fliste. Kur Tanin të ma sjellin këtu do t’ju bëjmë të ditur procedurat e mëtejshme”, shkroi Diana Lame në Facebook.

    Ndërkohë Klan News raporton se trupi i pajetë i tij pritet të mbërrijë të shtunën në Shqipëri. Arkmorti do të niset sot nga Gjermania në rrugë tokësore.

    Artan Lame u raportua se ndërroi jetë që dje, por gazetari dhe moderatori i emisionit “Opinion”, Blendi Fevziu, sqaroi se në fakt ai ishte ende në jetë, por në koma cerebrale.

    “Operacioni nuk ka arritur ta zgjojë më, pra ai është në koma cerebrale, por është ende në jetë. Mjekët thonë që mundësia që ai të jetojë është thuajse…, pra është e vështirë”, u shpreh Fevziu nga studioja e emisionit, ku Lame ishte shpesh i ftuar.

    Një prej figurave më të njohura publike shqiptare, Artan Lame drejtoi për disa vite Agjencinë e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Informale (ALUIZNI), si dhe mbajti poste të tjera shtetërore, duke qenë aktiv në radhët e Partisë Socialiste. Artan Lame ishte publicist, opinionist dhe koleksionist shqiptar. Studiues i historisë shqiptare, veprimtar i shoqërise civile për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare. Gjithashtu, veprimtar politik i Partisë Socialiste dhe funksionar shtetëror.

    *Koma cerebrale është një gjendje e rëndë mjekësore ku një person ndodhet në gjendje të pandërgjegjshme të thellë dhe nuk mund të zgjohet, të reagojë ndaj stimujve të jashtëm apo të kryejë funksione themelore vullnetare. Kjo gjendje është rezultat i një dëmtimi të rëndë në tru, dhe zakonisht quhet thjesht “komë”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!