Detaje të reja publikohen pas arrestimit të efektivit të Renea-s dy ditë më parë, pasi në makinën e tij u gjet një sasi prej 1 kilogram kokainë. Para togave të zeza, Xhuljano Lici ka thënë se nuk ka asnjë lidhje me drogën, ndërsa shton se gjatë kthimit nga Fieri për në Tiranë, ka marrë rrugës një person si pasagjer.
“Jam efektiv i policisë dhe po udhëtoja nga Fieri drejt Tiranës . Përgjithësisht rrugës së kthimit marr njerëz. Në zonën e Plepave një person ngriti dorën dhe unë e mora në makinë. Me vete kishte një pako që e vendosi në bagazh”.
Sipas policisë, nuk rezultojnë lidhje mes tij dhe dy personave të tjerë të cilët janë arrestuar gjithashtu, Ded Nimani i cili rezulton me precedentë të mëparshëm penalë në fushën e trafikut të drogës dhe Luan Gaçit.
Policia kishte marrë informacione se dy persona do të blinin sasinë e kokainës dhe më pas do e shisnin atë në Tiranë. Dy personat e dyshuar Ded Nimani (arrest me burg) dhe Luan Gaçi u ndoqën nga policia. Ata janë parë duke biseduar në zonën e Plepave, dhe më pas Luan Gaçi (në arrest shtëpie) ka hipur në makinë ku ndodhej shofer një person i panjohur, që dyshohet të ketë qenë efektivi i Renea-s. Ai ka nxjerrë më pas nga bagazhi një pako me mbishkrimin “Baroni” ku brenda kishte kokainë. Xhuljano Lici thotë se nuk ka dijeni dhe se nuk ka lidhje me pakon.
Sipas prokurorisë personi i panjohur që drejtonte makinën është Xhuljano Lici, efektiv i Forcave Renea në Fier. Prokuroria këmbëngul se të tre personat kanë dalë nga e njëjta makinë.
Gjykata ka vendosur masën arrest me burg për 35 ditë për efektivin e Reneas.
Hetimet për rastin vazhdojnë.