Në Qendrën për Hapje edhe Dialog është çelur ekspozita në nderim të katërvjetorit të shenjtërimit të Shenjtës Terezë (5 shtator 2016), ku u ekspozua një prej dorëshkrimeve origjinale të saj me pasazhe në shqip.
Për herë të parë publiku ka mundësinë të shohë tre letra origjinale të shenjtës Tereza me fragmente në shqip, dhe një fotografi e rrallë gjatë vizitës në Shkodër.
Letrat që i përkasin gushtit 1989, tetorit 1989 dhe janarit 1990, i drejtoheshin Ramiz Alisë, në cilësinë e Presidentit të Republikës, me qëllim lejimin e ardhjes së saj në Shqipëri e më pas, të çeljes së misionit të saj edhe në vendin tonë.
“Zemra jeme ka ni dishir të madhe me ardh në Shqipni”, shkruan Nënë Tereza në letrën për autoritetet shqiptare.
Kryeministri Rama tha se këto pasazhe në shqip të shkruara nga dora e saj, rrëzojnë edhe dyshimet e shprehura nga studiues të caktuar dhe pastaj, të kthyera në argumente banalë, lidhur me gjuhën e parë dhe amtare të Nënë Terezes, sipas të cilëve, ajo nuk ka shkruar kurrë më shqip pas viteve ‘70-të.
“E dimë që ajo e vizitoi për here të parë vendin, në gusht të vitit 1989 dhe e mbaj mend, të paktën të gjithë ata ndër ne, që ishin këtu, në atë kohë, sesa shumë emocion të përzier me një kuriozitet shumë të madh, por dhe me një ndjenjë të fortë solemniteti kishte zbarkimi i saj për në Tiranë, ku edhe pse mundësia për ta ndjekur në të gjithë hapat e qëndrimit nuk ishte ajo që është sot, sepse kishte vetëm një ekran dhe koha e ndjekjes së gjithë vizitës ishte e kufizuar në programacionin e atij ekrani shtetëror, të gjithë ishim krenarë dhe të gjithë ishim shumë të përfshirë nga ajo vizitë” shtoi më tej ai.
Duke e lidhur edhe me procesin e rindërtimit, Rama tha se trashëgimia që Shën Tereza na la dhe porosia e saj për të ndezur një qiri në vend se të mallkojmë errësirën, janë një burim drite e frymëzimi për të lënë gjurmën tonë në rrugën e kësaj jete që na është dhënë përkohësisht.
“Faktikisht është një fjalë që mua personalisht më vjen, më jehon shpesh e sidomos në momentet kur duket sikur të ndezësh një qiri, d.m.th., të bësh diçka është pak në krahasim me shumëçka që duhet bërë, por në fakt është hap pas hapi, diçka pas diçkaje që shkohet drejt shumëçkasë në jetën individuale, edhe në jetë shoqërore dhe është e vetmja gjë me vend që mund të bësh në vend se të merresh me errësirën që pengon çuarjen përpara të atyre shkëndijave të njëpasnjëshme të dritës, që pastaj krijojnë më shumë vend për dritën dhe zvogëlojnë vendin e errësirës.
E më duket se i tillë është edhe procesi i rindërtimit që ne po bëjmë, ku çdo ditë po vendosim tulla, po ngremë mure shtëpish për njerëzit e prekur nga fatkeqësia e 26 nëntorit. Duke i parë nga afër, duke i njohur nga afër, duke e prekur nga afër jetën e tyre, sheh që në një pjesë, jo të vogël, janë ajo kategori njerëzish, të cilëve i referohej Nënë Tereza. Ajo kategori njerëzish, të të cilës iu referua dhe imzot Frendo në fjalën e tij. Ajo kategori njerëzish që jetojnë në një anonimat larg asaj që zhvillohet përditë para syve të të gjithë atyre që kanë më shumë mundësi se ata. Të asaj që zhvillohet përditë në jetën tonë shoqërore, apo në kanalet tona të komunikimit. Janë një kategori njerëzish që keqpërdoret shpesh për të sulmuar.
Keqpërdoret shpesh për të bërë audiencë. Keqpërdoret shpesh për të relativizuar, apo edhe më keq akoma, për të baltosur përpjekjet e mira që bëhen, sado të pamjaftueshme qofshin. Dhe besoj që fjala e Nënë Terezës: “kemi zemër për të dashur dhe duar për të shërbyer”, është fjala e duhur për ta përshkruar këtë përpjekje, që synon t’i kthejë sa më parë në shtëpi, në shtëpi shumë më të mira, në shtëpi shumë më të forta, në shtëpi shumë më të bukura, ata që patën fatkeqësinë të humbasin strehën në atë natë tragjike”.
Letra e saj, e tetorit ’89-të, qenë e papërpunuar në Arkivin Qendror të Shtetit, si pjesë e fondit të papërpunuar të Ramiz Alisë dhe përpunimi i gjithë ish Arkivit Qendror të asaj kohe, ishte një prioritet që përfundoi si një prioritet i realizuar vetëm këtë vit.
Dy letrat e tjera, të janarit ’90-të dhe ajo më parë, e gushtit ’89-të njihen gjerësisht.
Ekspozita do të qëndrojë hapur në datë 5 shtator në COD nga ora 9. në orën 21.00.