×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Ekstradohet nga Spanja ish-kreu i bandës së Durrësit, Lulzim Berisha

    Reporteri
    18 Mars 2025 | 23:22

    Ish-kreu  i bandës së Durrësit, Lulzim Berisha, ka mbërritur në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”, në Tiranë.

    Kështu, finalizohet ekstradimi i tij, pasi u arrestua në Madrid të Spanjës.

    Në vitin 2020 Lulzim Berisha u shpall në kërkim nga SPAK për 2 vrasje të ndodhura në 2005-ën, atë të Vajdin Lames dhe Klodian Saliut, të cilat hetuesit i zbardhën me 15 vite vonesë. Më vonë çështja ndaj Vajdin Lames u pushua dhe vijonte vetëm për Klodian Saliun.

    Përveç vrasjeve, emri i Lulzim Berishës lidhet edhe me trafik ndërkombëtar droge, prostitucion dhe trafik armësh. Ai u arrestua më 6 prill të vitit 2006 për 10 akuza, mes të cilave krijimin e një organizate kriminale dhe një seri vrasjesh e atentatesh të kryera në vitet 98-99.

    Më 16 janar të vitit 2012, Gjykata e Krimeve të Rënda të kohës e dënoi me burgim të përjetshëm për 6 vrasje, por Gjykata e Larta, në vitin 2014, rrëzoi dënimin me burgim të përjetshëm dhe vendosi dënimin me 25 vite burg për ish-kreun e bandës së Durrësit.

    Lulzim Berisha qëndroi 10 vjet e tetë muaj në burg deri kur më 5 dhjetor të vitit 2016, u lirua me kusht nga burgu dhe u punësua në Bashkinë e Durrësit, me një vendim të diskutueshëm të Gjykatës së Apelit.

    Por më 27 maj të vitit 2022, ishte Gjykata Kushtetuese ajo që vendosi për rikthimin në burg të ish-kreut të Bandës së Durrësit, Lulzim Berisha, që duket se fshihej në Spanjë për t’ju shmangur përballjes me drejtësinë./TCH

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!