Është vrarë me armë zjarri mbrëmjen e sotme në fshatin Pllanë në Lezhë 65-vjeçari Gjovalin Prendi, i cili është babai i Sidorel Prendit alias Roan Brahimi i vrarë në maj të vitit të shkuar në Greqi.
Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë të cilat kanë rrethuar zonën dhe po punojnë për identifikim dhe kapjen e autorit.
Njoftimi:
Në fshatin Pllanë, në rrethana ende të paqarta është vrarë me armë zjarri shtetasi Gj. P. 64 vjeç, banues në Pllanë, Lezhë.
Forca të shumta të Policisë kanë shkuar në drejtim të vendit të ngjarjes të mbështetura nga Forca Kombëtare e Sigurisë, Njësia Shkodër.
Ndërkohë është ngritur një grup i posaçëm hetimor i cili ka shkuar në vendin e ngjarjes, dhe nën drejtimin e Prokurorit, po kryejnë veprimet hetimore me qëllim zbardhjen e ngjarjes.
Raportohet se fillimisht babai i Roan Brahimit ka mbetur i plagosur rëndë dhe është dërguar në spital në gjendje të rëndë, ku dhe ka humbur jetën për shkak të plagëve të marra.
Atentati ndaj Roan Brahimit
Sidorel Prendi alias Roan Brahimi u vra në një atentat të mirëfilltë mafioz në lagjen Vyronas të Athinës, mbërmjen e 9 majit të vitit të shkuar. Krimi, në sy të gruas së tij të dytë dhe djalit të vogël ndodhi në një zonë të populluar.
Sipas mediave greke Brahimi kishte pak ditë që kishte ardhur në Greqi për pushimet e Pashkës, pasi jetonte në Dubai nga frika e një atentati. Ai kishte në Athinë një grua dhe një fëmijë, por bëhet me dije se në Shqipëri ai kishte një familje tjetër me një bashkëshorte dhe dy fëmijë.
Roan Brahimi alias Sidorel Prendi, njihet edhe si rival i Ervis Martinajt, pasi ishte i shpallur në kërkim për tu pyetur për vrasjen e Brilant Martinajt, (kushëriri i Ervis Martinajt) atentat që ndodhi në 17 korrik 2022, dhe u vranë dhe 2 të tjerë.