Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan zhvillon sot një vizitë në Tiranë. Ai pritet të mbërrijë në Tiranë rreth orës 11:00 të paradites. Erdogan, do të zhvillojë takim me presidentin Bajram Begaj dhe kryeministrin Edi Rama.
Më pas ai do të ketë një konferencë për mediet me Ramën, ndërsa në orët e pasdites do të marrë pjesë në inaugurimin e xhamisë së Namazgjasë.
Drejtoria e Policisë Tiranë, me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka marrë një sërë masash të detajuara ku do të ketë edhe bllokime të disa segmenteve rrugore, si dhe bllokime të pjesshme të disa segmenteve të tjera, në varësi të takimeve dhe aktiviteteve që do të zhvillohen gjatë vizitës në Tiranë.
Marrëveshjet që do të nënshkruhen:
1. Deklarata e synimit mbi bashkëpunimin në fushën e sigurimeve në bujqësi të mbështetur nga shteti midis Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë të Republikës së Turqisë.
Zyrtarët nënshkrues:
Për palën shqiptare: znj. Anila Denaj, Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural;
Për palën turke: z. Ibrahim YUMAKLI, Ministër i Bujqësisë dhe Pylltarisë
2. Protokoll ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë dhe Këshillit të Lartë të Arsimit të Republikës së Turqisë për Hapjen e Degës, Njësisë Akademike, Programeve të Studimit nga Universiteti Teknik i Stambollit në Shqipëri.
Për palën shqiptare: znj. Ogerta Manastirliu, Ministër i Arsimit dhe Sportit
Për palën turke: z. Erol Ozvar, President i Kryesisë së Këshillit të Arsimit të Lartë e Republikës së Turqisë.
3. Memorandumin e Mirëkuptimit ndërmjet Agjencisë për Media dhe Informim të Republikës së Shqipërisë dhe Drejtorisë së Komunikimit të Presidencës së Republikës së Turqisë për bashkëpunim në fushën e marrëdhënieve me publikun dhe komunikimin.
Zyrtarët nënshkrues:
Për palën shqiptare: z. Alteo Hysi, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë për Media dhe Informim;
Për palën turke: z. Fahrettin Altun, Drejtor i Komunikimit të Drejtorisë së Komunikimit të Presidencës së Republikës së Turqisë