Përplasja me armë mes dy grupesh të rinjsh ka shkaktuar një të vrarë dhe katër persona të plagosur në qytetin e Kavajës.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në lagjen numër 4 të qytetit, ku një konflikt mes të rinjve ka degjeneruar në përdorimin e armëve të zjarrit.
Për pasojë ka gjetur vdekjen një kalimtar i rastit, Ramazan Hasalliu, rreth 50 vjeç, i cili në momentin e shkëmbimit të zjarrit sapo kishte dalë nga dyqani ku kishte blerë bukë.
Ndërkohë, nga shkëmbimi i zjarrit kanë mbetur të plagosur edhe katër persona, të cilët dyshohen se kanë qenë pjesë e këtij konflikti.
Madje një nga të plagosurit ndodhet në gjendje më të rëndë dhe është transportuar në spitalin e Traumës në Tiranë.
Pasi ka shkuar në vendngjarje, Policia ka identifikuar si dy nga autoret e mundshëm të kësaj ngjarjeje të rëndë – dhe që dyshohet se kanë qëlluar me breshëri – vëllezërit, Elio dhe Erald Hyka, të cilët janë shpallur në kërkim.
Kalimtarë të rastit janë shprehur të shokuar me ngjarjen në fjalë, pasi tregojnë se personat në konflikt kanë qëlluar në mënyrë të pakontrolluar, sa që plumbat kanë kapur edhe automjete që janë disa dhjetëra metra larg vendit të ngjarjes.
Sipas dëshmitarëve është fat që kjo ngjarje nuk shënoi më tepër viktima, jo vetëm mes palëve të përfshira në konflikt, por edhe mes kalimtarëve të rastit, pasi zona është e populluar.
Ndonëse ngjarje pritet të zbardhet në vijim, pasi Policia tashmë i di autorët dhe personat në konflikt, ngjarja ka lënë një shije mjaft të keqe te banorët e Kavajës dhe jo vetëm, pasi grupe të armatosura lajnë hesapet të pa shqetësuar në mes të qytetit duke i marre jetën personave të pafajshëm./a2cnn