Freedom House, ka publikuar raportin vjetor, për vitin 2021, e kur flet për Shqipërinë, te pjesa për lirinë e medias, thekson mediat në këtë vend, marrin fonde edhe nga vende të cilat llogariten si autoritare dhe armiqësore me vlerat perëndimore.
Sipas këtij raporti, në Shqipëri operojnë rreth 45 televizione dhe 800 media online. Një pjesë e këtyre mediave sipas raportit të Freedom House, marrin fonde edhe nga Rusia, Serbia, Kina e Irani, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“Viti 2021 ishte sfidues për gazetarët për shkak të kërcënimeve, ngacmimeve dhe kushteve të tmerrshme të punës. Sipas Unionit të Gazetarëve Shqiptarë (UAJ), ka rreth 45 TV dhe 800 media online që operojnë në mbarë vendin dhe marrin fonde nga jashtë, duke përfshirë mbështetjen financiare nga Rusia, Irani, Kina, Serbia, Bullgaria, Greqia dhe Italia—ose nga krimi i organizuar, veçanërisht mediat online”, thuhet ndër të tjera në këtë raport.
Duke folur për fushën e medias, raporti thekson edhe kushtet e rënda të punës për gazetarët, ku një pjesë e madhe janë të punësuar pa kontrata dhe me paga tejet të vogla.
Shqetësim tjetër, është kontrolli i një pjese të madhe të medias, nga një grup i vogël personash, me lidhje të ngushta me partitë politike, të cilët shantazhojnë dhe diskreditojnë personat që flasin kundër interesave të tyre, apo të partive politike që ata mbështesin.
“Përafërsisht tetë persona kontrollojnë pjesën më të madhe të tregut mediatik në Shqipëri84 dhe të përdorin këto platforma për të lobuar interesat e tyre dhe për të mbajtur lidhje të ngushta me partitë politike. Ata gjithashtu mbështeten në shantazh ose diskreditim të personave që flasin kundër interesave të tyre ose partive politike që ata mbështesin. Përqendrimi i tregut të Shqipërisë përbën një rrezik të lartë për pluralizmin dhe pavarësinë e medias”, thuhet në raportin e Freedom House për Shqipërinë. /Reporteri.net