×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Frikë nga hakmarrja, pas arrestimit të Rrok Pepajt familja ngujohet

    Reporteri
    11 Tetor 2020 | 10:11

    Policia e Shkodrës arrestoi dje shtetasin Rrok Pepaj, babai i Danjel Pepajt, autorit të dyshuar për vrasjen e Vilson Çutaj dhe Klement Pepaj.


    Familja e Rrok Pepajt është ngujuar në banesë nga frika e ndonjë hakmarrjeje të mundshme, pas gjetjes së trupave të pajetë të Vilsonit dhe Klementit ditën e enjte në zonat malore të fshatit Vrith në Malësinë e Madhe.

    Në oborrin e shtëpisë së Rrok dhe Danjel Pepaj, qëndrojnë efektivët e Policisë, të cilët janë në ruajtje të banesës dhe familjarëve të Danjel Pepaj për shmangien e ndonjë situate konflikti mes dy familjeve, të cilat kanë lidhje familjare me njëra–tjetrën.

    POLICIA KONFIRMON NGJARJEN

    Policia e Shkodrës pas 6 ditësh nga ngjarja e rëndë, përmes një njoftimi për shtyp ka konfirmuar se autori i dyshuar i vrasjes së dyfishtë në zonën malore të fshatit Vrith në Malësinë e Madhe është shtetasi Danjel Pepaj.

    Po ashtu Policia ka konfirmuar dy trupat e pajetë të Vilson Çutaj dhe Klement Pepaj dhe faktin se ka pasur parcela droge.

    “Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, menjëherë pas marrjes së njoftimit për humbjen e kontakteve të tre të rinjve me familjarët e tyre në Malësinë e Madhe, organizuan grupe kontrolli në të gjithë zonën duke përdorur edhe dronë. Njëkohësisht, u ngrit një grup i posaçëm hetimor me specialistët më të mirë të Hetimit të Krimit në DVP Shkodër dhe në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, vijoi puna për zbardhjen e ngjarjes, pasi dyshohej se të rinjtë mund të ishin vrarë”, bën të ditur Policia e Shkodrës.

    Më tej, në këtë njoftim thuhet se “pas kërkimeve intensive në malet e fshatit Vrith, Malësi e Madhe, në vendin e quajtur ‘Rrenza e Grecajve’, u bë e mundur gjetja e trupave të pajetë të dy të rinjve, Vilson Çutaj, 37 vjeç dhe Klement Pepaj, 21 vjeç. Nga veprimet e para hetimore rezultoi se këta dy shtetas ishin vrarë me armë zjarri. Gjithashtu, nga këqyrja e vendit të ngjarjes dhe kontrollit përreth vendit të ngjarjes u gjetën të kultivuara 29 bimë kanabis”, duke konfirmuar kështu edhe zyrtarisht ngjarjen e rëndë sepse deri më tani Vilson Çutaj dhe Klement Pepaj cilësoheshin si të humbur.

    Policia e Shkodrës shton se “në vijim të veprimeve hetimore të kryera nga grupi i posaçëm hetimor për zbardhjen e ngjarjes, si rezultat i provave e informacioneve të grumbulluara dhe veprimeve të shpejta profesionale është bërë shpallja në kërkim e autorit të dyshuar të vrasjes së dy të rinjve, konkretisht e shtetasit Danjel Pepaj, 25 vjeç, banues në fshatin Vrith, Malësi e Madhe, për veprat penale ‘Vrasja në rrethana cilësuese’, ‘Armëmbajtja pa leje’ dhe ‘Kultivimi i bimëve narkotike’, vijon njoftimin Policia e Shkodrës.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!