×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Greqia dërgon avion për shuarjen e zjarreve në ishullin e Sazanit

    Reporteri
    07 Qershor 2022 | 11:55

    Një avion grek i ka ardhur në ndihmë palës shqiptare për të ndihmuar në shuarjen e zjarreve në ishullin e Sazanit, aty ku prej 4 ditësh vijon beteja e zjarrfikësve me flakët.

    Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, i cili njofton se kërkesa për ndihmë u bë nga Shqipëria dhe vendi fqinj u përgjigj menjëherë.

    “Greqia iu përgjigj menjëherë pozitivisht kërkesës sonë për të angazhuar sot, herët në mëngjes një avion tip Canadair CL 415 për shuarjen e zjarrit në Sazan. Ekspertët vlerësuan se është e nevojshme ndërhyrja nga ajri, por thelbësore mbetet puna e forcave në terren. Mirënjohje partnerëve tanë të Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE për ndihmën e pakursyer në emergjenca të tilla dhe jo vetëm”, shkruan në rrjetet sociale ministri Peleshi.

    Prej disa ditësh, dhjetra ushtarë dhe zjarrfikës janë angazhuar për të shuar zjarret në ishullin e Sazanit, një ishull i pabanuar dhe që nuk dihet arsyeja e rënies së flakëve.

    Ndërhyrja nga terreni ka bërë të mundur vendosjen nën kontroll të zjarrit, por vatrat aktivizoheshin sërish. E për këtë arsye u vlerësua se ndërhyrja nga ajri do të jetë efikase.

    Avioni Canadair CL-415 është projektuar posaçërisht për shuarjen e zjarrit nga ajri, por mund të kryejë edhe role të tjera të ndryshme, të tilla si kërkim-shpëtimi dhe transporti.

    Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Greqi, pas një sërë kontaktesh falenderoi autoritetet atje për përgjigjen në kohë ndaj Shqipërisë./tvklan

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!