Prej 13-vitesh, Enver Hodaj, jeton si endacak, pasi u braktis nga bashkëshortja dhe 4 fëmijët e tij.
Ai ka tetë vite që fle në makinë, pasi nuk ka një shtëpi ku të strehohet. Ndërkohë këtë makinë ditën e përdor si taksi për të nxjerrë bukën e gojë dhe natën si shtëpi.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin “Shqipëria Live”, Hodaj tha se ka 13 vite që nuk komunikon me fëmijët.
63-vjeçari është i braktisur nga të gjithë dhe jeton me shpresën se dikush do ta ndihmoj që një ditë të ketë një çati mbi kokë.
“Jetoja me bashkëshorten dhe fëmijët këtu në Fier. Shtëpia ka qenë ë gruas, edhe unë kam kontribuar, por kjo nuk më intereson. Unë nuk mund të lija fëmijët në rrugë, ishin të mitur. Djali i vogël është 15 vjeç, njëra vajzë 17 vjeçe, tjetra 19 vjeçe. Djali i madh jeton në Gjermani dhe është 29 vjeç”, tha Hodaj.
“Kam 13 vite pa i parë. Nuk është asnjëherë për fajin tim. Nuk e di se çfarë bëhet, paragjykime, llafe njerëzish.Fëmijët nuk kanë faj, me atë frymë u rriten, ishin të vegjël. Ata janë në rrugën e mbarë. Edhe bashkëshortja ka qenë e shkëlqyer”, tha Enveri.
Ky i fundit shtoi se vajza e madhe që rri në Itali e ka marrë në telefon mbrëmë, pasi ka marrë vesh për intervistën në Top Channel. Ajo i ka thënë se nuk e kanë braktisur.
“Ata janë të pafajshëm, ishin të vegjël nuk dinin gjë. T’i përqafoj për herë ë fundit e të largohem nga kjo botë, ç’më duhet jeta. Dua të jenë mirë, të kenë logjikën, dashurinë dhe respekt. Mund të mos kenë mundësi të më takojnë, se janë në shkollë. Falënderoj bashkëshorten që i ka rritur dhe dërguar në rrugën e duhur”, vijoi ai.
Ndërkohë tregoi se ka marrë edhe shumë gjoba për makinën të cilën e ka pa letra, të licencuar për taksi.
“E keqja është se shteti ka të drejtë se e kam pa letra makinën dhe më vë shumë gjoba. Nuk kam mundësi që ta licencoj. Nuk ndizet, është e prishur, e vjetër. Makina do naftë, shërbime dhe shumë gjëra. Por unë në pamundësi. Nxjerr para sa për të ngrënë, sa të mbaj shpirtin gjallë”, përfundoi 63-vjeçari.