Ish e dashura e Safet Bajrit, Eria Ago, e vënë në pranga 5 ditë pas arrestimit të këtij të fundit, ankimoi izolimin e saj në qeli në Apelin e Posaçëm.
Ajo përfundoi e arrestuar pasi dyshohet se ka përkrahur ish- partnerin e saj dhe ka siguruar kushte për të vrarë Fatbardh Licin, për të cilin u prangos edhe Safet Bajri.
Për këto akuza të rënda, modelja sipas SPAK pretendohet se i ka kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Tashmë e izoluar në burgun e grave në Pojskë të Pogradecit, Eria Ago ka mohuar përfshirjen e saj në ekzekutimin e Fatbardh Licit në 2018, por prokurorja e çështjes, Elida Kaçkini ka dyshime se në ngjarje e hetuara ka pasur rolin e drejtueses së automjetit.
Sipas dosjes hetimore, brenda makinës Benz ngjyrë gri që ishte vjedhur më herët në Tiranë, ndodheshin dy ekzekutorët e krimit.
SPAK: Pasi personat kanë kryer vrasjen personi nën hetim Safet Rustemi, ka qëndruar në Shkodër, ndërsa personi nën hetim Astmer Bilali është larguar për në Tiranë, së bashku më shtetasen Eria Ago.
Në dosje përshkruhet edhe dita e ngjarjes.
SPAK: Viktima në ditën e ngjarjes si zakonisht rreth orës 7 të mëngjesit ka shkuar në lokal. Ai ka parkuar mjetin tip Audi dhe në momentin që ka shkuar te lokali përballë ka ndaluar një automjet i markës “Benz”, ngjyrë gri. Nga dera e pasagjerit ka zbritur një person i maskuar i gjatë rreth 180 cm, i maskuar, i veshur me rroba të errëta me armë zjarri dhe ka hapur zjarr. Në vendngjarje janë sekuestruar 10 gëzhoja, 6 predha dhe një këmishë predhe. Nga kqyrja e kufomës rezulton se ai ka marrë 9 plagë të ndryshme në trup.
Fatbardh Lici ishte xhaxhai i Ibrahim Licit, rival i Bajrave. Sipas grupit hetimor, motivi i vrasjes lidhet me dyshimin e Behar Bajrit se Ibrahim Lici kishte vrarë një pjesëtar të grupit të tyre, ish-policin Boran Bërçana. Ndaj Safet dhe Behar Bajrit dhe Astmer Bilalit rëndojnë akuzat vrasje me paramendim, grup i strukturuar kriminal dhe kryerja e veprave penale nga organizata kriminale. Edhe këta të fundit kanë ankimuar masën në Apelin e Posaçëm, ndërsa janë në pritje të shortit se cili nga gjyqtarët do të vendosë për lirimin apo jo të tyre.