×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Iu refuzua fjala në seancën për zgjedhjen e presidentit, Berisha lë Kuvendin: Kandidati është anti-kushtetues

    Reporteri
    04 Qershor 2022 | 18:35

    Pas nisjes së seancës pë zgjedhjen e Presidentit të ri, Berisha ka kërkuar dy herë fjalën në Kuvend. Por, sipas rregullores, kur Kuvendi mblidhet për zgjedhjen e Presidentit duhet të ketë heshtje dhe jo debate. Kështu, kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla ka vijuar me procedurën e votimit.

    Pas kësaj, Sali Berisha ka lënë ambientet e sallës së Kuvendit dhe ka komunikuar me gazetarët.

    “Në parlamentin e Shqipërisë po votohet në shkelje të Kushtetutës për presidentin e Republikës, njeriun që kalon nga karrigia e shefit të shtabit në karrigen e kreut të shtetit, duke shkelur në mënyrë të hapur nenin e Kushtetutës, që ndalon ushtarakun aktiv që të zgjidhen në organe të tjera veç asaj të ushtrisë.

    Kandidati që votohet sot nis udhën e tij duke shkelmuar me dy këmbë Kushtetutën, pasi ai kandidon për president si shefi i shtabit. Dorëheqja e tij ka zero vlerë, pasi për ushtarakun, lirimi nga detyra është rruga që e detyron atë nga obligimet ushtarake, akti i dorëheqjes është tërësisht i pavlerë.

    Zotit Meta i është dërguar çdekretimi i kandidatit, ai nuk ka shkuar aty veçse si kandidat për president, në historinë e botës së lirë, ju kurrë nuk do të gjeni një rast të vetëm, kur një person kalon nga karrigia e shefit të shtabit në karrigen e presidentit. Kjo ndodh vetëm në junta ushtarake, ky është precedent i rrezikshëm”, tha Berisha para gazetarëve.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!