Deputeti i PS’së, Orlando Rakipi, djali i ish-deputetit e quajti skandaloze vendimin e SHBA-së.
Ornaldo Rakipi, djali deputet i Aqif Rakipit, ka folur menjëherë pasi babai i tij u shpall “non-grata” nga SHBA. Në hyrje të Kuvendit, ai e ka quajtur lajmin “një gjëmë” për familjen.
“Nuk e di se ça është ai lloj vendimi. S’na ka ndodhur kurrë ajo gjë në familjen tonë. Babai im është super i pastër. Mund ta shihni, nuk ka asnjë lloj rekordi kriminal. S’kemi lidhje te ajo pjesë”, tha djali i Rakipit.
“Nuk e kuptoj pjesën kriminale, po jam i gatshëm të jap dorëheqjen, babai im është shumë i pastër, është diçka skandaloze. Nuk kemi lidhje”, tha ai.
Maxhoranca nuk pranoi të flasë jashtë ambienteve të Kuvendit, kur u pyet nga gazetarët për vendimin e Departamentit të Thesarit të SHBA-së.
Deputetja Blerina Gjylameti dhe Bledi Çuçi nuk pranuan të jepnin komentin e tyre, ndërsa hynë në ambientet e Kuvendit.
Kurse Belind Këlliçi dhe Edi Paloka u shfaqën të qeshur, duke kërkuar kohën e duhur për të lexuar vendimin.
SHBA-të kanë vendosur sot sanksione të ashpra ekonomike ndaj ish-deputetit Aqif Rakipi dhe biznesmenit Ylli Ndroqi. Në letrën e bërë publike nga Departamenti amerikan i Thesarit, thuhet se krimi i organizuar mbetet një çështje e rëndësishme në Shqipëri.
“Krimi i organizuar mbetet një kërcënim i rëndësishëm në Shqipëri dhe aktorët kriminalë mbeten me ndikim në politikën shqiptare, duke përdorur para dhe dhunë për të përcjellë mbështetjen për kandidatët e preferuar.
Aqif Rakipi është një ish-deputet famëkeq nga Elbasani, Shqipëri, i cili ka ndikim të dëmshëm dhe destabilizues në proceset politike në Shqipëri. Grupe të shumta të krimit të organizuar (GKO) në Shqipëri kanë ofruar para, dhurata ose premtime për vende pune apo lëshime në këmbim të votave për partinë e tyre të preferuar politike. Rakipi ka qenë prej kohësh i përfshirë në krimin e organizuar dhe është i lidhur ngushtë me një Grup Krimi të Organizuar, brenda të cilit ai ka ushtruar ndikim politik, përfshirë edhe përmes korrupsionit.
Për shembull, Rakipi ka përdorur ndikimin e tij politik për të emëruar miqtë e tij në pozicione kyçe publike në Elbasan dhe Tiranë. Rakipi humbi mandatin e tij si deputet i parlamentit të Shqipërisë pasi prokurorët konfirmuan rolin e tij në veprimtari kriminale nën një pseudonim. Ai përcaktohet në bazë të E.O. 14033 sepse ka qenë përgjegjës ose bashkëpunëtor në ose për përfshirje të drejtpërdrejtë ose të tërthortë në korrupsion lidhur me Ballkanin Perëndimor, përfshi korrupsionin nga, në emër të, ose të lidhur me një qeveri në Ballkanin Perëndimor, apo një zyrtar aktual ose të kaluar qeverie, në çfarëdo niveli të qeverisjes në Ballkanin Perëndimor, siç është përvetësimi i pronave publike, shpronësimi i pronave private për përfitime personale ose qëllime politike, apo ryshfete”, thotë kumtesa.