×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Kapen “skifterët” e banesave në Tiranë, autorë të 7 vjedhjeve, 3 prej tyre kasaforta

    Reporteri
    09 Shtator 2020 | 11:15

    Tre persona kanë rënë në pranga dhe 2 të tjerë janë shpallur në kërkim, pasi dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin vidhnin në banesa të ndryshme në qarkun e Tiranës.


    Operacioni policor i koduar “Sezoni” çoi në kapjen e shtetasve Etem Murata 35 vjeç, Smajl Shkemza 28 vjeç dhe Dorian Basho 32 vjeç, të tre banues në Durrës. Si dhe u shpallën në kërkim shtetasit: A. R., 45 vjeç dhe V. O., 33 vjeçe.

    Policia ka zbardhur dhe dokumentuar 7 raste të vjedhjeve në banesa, 3 prej tyre vjedhje kasafortash, të cilat dyshohet se janë kryer nga këta shtetas.

    Nga tërësia e veprimeve hetimore disamujore ka rezultuar se këta shtetas janë autorë të vjedhjeve të kasafortave, sendeve me vlerë dhe shumave të parave në disa banesa, konkretisht:

    -Më datë 06.09.2020, në rrugën “Nikolla Tupe”, kanë vjedhur disa bizhuteri dhe një kasafortë brenda së cilës ka pasur disa dokumente personale dhe një shumë rreth 10000 euro, në banesën e shtetasit E. A., i cili në momentin e vjedhjes ka qenë me pushime sezonale.

    – Më datë 12.08.2019, në rrugën “Skënder Luarasi”, kanë vjedhur një kasafortë brenda së cilës ka pasur një sasi lekësh te konsiderueshme parash, në banesën e shtetasit S. P., i cili në momentin e vjedhjes ka qenë me pushime sezonale.

    – Më datë 20.07.2020, në rrugën “Ramiz Kovaçi”, kanë vjedhur shumën 7000 euro, në banesën e shtetasit F. Ç.

    – Më datë 30.08.2020, në rrugën “Pjeter Bogdani”, kanë vjedhur disa bizhuteri dhe një kasafortë brenda së cilës ka pasur disa dokumente pronësie, sende me vlerë dhe shumën e parave rreth 1160 dollarë dhe 270.000 lekë, në banesën e shtetasit E. S., i cili në momentin e vjedhjes ka qenë me pushime sezonale.

    – Më datë 24.08.2020, në rrugën “Marko Boçari”, kanë vjedhur disa bizhuteri në banesën e shtetasit A. K. Ky shtetas ishte larguar për dy muaj me pushime sezonale dhe kur është kthyer ka konstatuar vjedhjen.

    – Më datë 29.08.2020, në rrugën “Zef Jubani”, kanë vjedhur disa bizhuteri në banesën e shtetasit A. Sh. Ky shtetas ishte larguar bashkë me familjen për pushime sezonale dhe kur është kthyer, ka konstatuar vjedhjen.

    – Më datë 06.02.2020, në rrugën “Njazi Demi” ” kanë vjedhur disa bizhuteri në banesën e shtetases E. D.

    Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 2 automjete, shuma prej 10.000 euro dhe një pajisje për bllokimin e valëve.

    Vijon puna kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe për dokumentimin e vjedhjeve të tjera të ndodhura në qarkun e Tiranës, në të cilat mund të jenë të implikuar këta shtetas.

    Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vjedhja” e kryer në bashkëpunim.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!