Katër orë ka zgjatur protesta e opozitës para Kryeministrisë, dhe më pas para Kuvendit të Shqipërisë.
Protesta u shoqërua me hedhje molotovësh dhe lëndësh piroteknike nga protestuesit drejt forcave të rendit, ndërsa policia u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës dhe autobotë me ujë.
Tensionet ishin të larta dhe nga protesta mbetën të lënduar tetë efektivë policie, të cilët u shtruan në spital.
Ndërkohë, i lënduar ka mbetur edhe deputeti Bledion Nallbati. Deputeti është dërguar drejt Spitalit të Traumës, ku është shoqëruar nga kolegët e tij, ndërsa sipas Partisë Demokratike, ai ka marrë lëndime në kokë.
Ministria e Shëndetësisë në një njoftim të fundit ka bërë me dije se Nallbati po i nënshtrohet ekzaminimit, dhe se gjendja e tij është stabile.
Siç raportojnë mediat shqiptare, protestuesit u përplasën edhe me qytetarët në rrugë, duke mos i lejuar të largoheshin.
Ministrja e Brendshme, Koçiu, tha se forca nuk duhet të jetë mjet në protestë, ndërsa kreu i PD-së paralajmëroi një tjetër protestë më 20 shkurt.
Përmes protestës po kërkohet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe Belinda Ballukut.
Opozita akuzon Ramën dhe zëvendësen e tij për korrupsion dhe abuzim me pushtetin, ndërsa SPAK ka marrë të pandehur dhe kërkon heqjen e imunitetit të Ballukut e cila edhe me vendim të Gjykatës Kushtetuese, është e pezulluar nga detyra.