Vëllezërit nga Pogradeci, të gjendur të vrarë me armë zjarri mesditën e sotme në fshatin Zvirinë të Maliqit, Andrea Olldashi 33 vjeç dhe Martin Olldashi 31 vjeç, banues ne lagjen nr.1 të qytetit liqenor, rezultojnë me precedentë të mëparshëm penalë.
Sipas burimeve konfidenciale për Ora News, ata rezultojnë të përfshirë në trafik narkotikësh, ndërsa ishin edhe vetë përdorues.
Ata edhe në të shkuarën kanë patur përballje me policinë dhe drejtësinë
Vëllezërit Olldashi dyshohen se janë autorë të shpërthimit të ndodhur më 10 korrik 2012 në lokalin e shtetasit Gjergj Leka, 57 vjeç, ish-futbollist, raporton Ora News.
Pronari i lokalit do të shprehej se shpërthimi kishte ardhur pas një seri ngjarjesh të tjera që kishin nisur me një gjobëvënie nga ana e një grupi të rinjsh në Pogradec.
Ai tregoi edhe se si grupi i gjobëvënësve i kishin dhunuar bashkëshorten dhe djalin.
Andrea Olldashi ka qenë në burg nga ku ka dalë në vitin 2018. Pas kësaj ai ishte vendosur në Tiranë ku kishte nisur edhe një biznes, raporton Ora News.
Vëllezërit ishin zhdukur nga banesa që prej datës 7 dhjetor ndërsa sot në mesditë u gjendën të vrarë në fshatin Zvirinë.