Në raportin e publikuar nga Instituti i Studimeve Politike për veprimtarinë e Kuvendit në 6 mujorin e vitit 2020 kanë qenë të shumtë ata deputetë që zgjodhën heshtjen në vend të fjalës, por nuk harruan të firmosin borderotë e të marrin pagat.
Në bilancin e debateve parlamentare tërheq vëmendjen edhe lista e deputetëve që nuk kanë diskutuar asnjëherë gjatë periudhës monitoruese.
Disa prej tyre ndodhen pothuajse gjithnjë në këtë listë dhe janë kryesisht deputetë që politikën e kanë angazhim të dytë, krahas biznesit privat apo angazhimeve të tjera prioritare. Disa të tjerë janë figura të njohura politike e publike që në kontrast me angazhimin në seanca plenare, janë mjaft aktivë në mbledhjet në komisionet parlamentare ose në strukturat e tjera të Kuvendit.
Në listën e deputetëve me “0” diskutime bëjnë pjesë kryesisht deputetë të ardhur më 2019 në parlament, por edhe deputetë të njohur si Musa Ulqini, Niko Peleshi, Mimi Kodheli, Alban Zeneli, etj, të cilët janë aktiv në jetën politike dhe në drejtimin e komisioneve parlamentare.
Janë plot 15 deputetë të Partisë Socialiste që nuk kanë folur asnjëherë në Kuvend për 6 muajt e parë të vitit 2020, duke filluar me emra të njohur e deri tek ata që kanë marrë mandatin për herë të parë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017.
Në listë nuk mund të mos mungojnë disa prej deputetëve të njohur më shumë si biznesmenë sesa si deputetë dhe që janë aty prej shumë mandatesh parlamentare, pavarësisht bilancit negativ në përfaqësimin dhe pjesëmarrjen në aktivitetin parlamentar.
Edhe pse në facebook apo rrjete të tjera komunikimi janë deri diku aktivë, shumë deputetë nuk kanë folur. Ajo që bie në sy nga të dhënat e raportit janë deputetët e opozitës së re, që kanë konsumuar mjaftueshëm fjalime në seancat plenare, shkruan gazeta shqip.
Disa deputetë ishin mjaft aktivë në seancat plenare, – një pjesë edhe për shkak të funksionit si drejtues të grupeve parlamentare, por një pjesë e konsiderueshme për shkak të zgjedhjes personale për të qenë të tillë.
Në krye të listës së deputetëve më me shumë fjalime është zv/kryetari i Kuvendit Myslim Murrizi. Ai ka folur në 21 seanca plenare, më tepër se çdo politikan tjetër. Në vend të dytë është një deputet jo shumë i njohur në publik, Zef Shtjefni, cili ka folur në 20 seanca plenare. Në listë vijojnë dy drejtuesit e grupeve parlamentare, Nimet Musaj i Grupit “Të pavarur” dhe Taulant Balla nga Partia Socialiste. Në listë vijnë më pas emra deputetësh të njohur si Hajdari, Roshi, etj, dhe të panjohur ose protagonistë të diskutimeve, shpeshherë me headline negative në media, si disa prej emrave vijues të 10-11 deputetëve më aktivë në seancat plenare.