Autoriteti i Mbikëqyrjes Policore ka ndaluar tre oficerë policie dhe një doganier, të cilët akuzohen për shpërdorim detyre.
Katër personat e arrestuar kanë qenë me detyrë në pikën kufitare të Hanit të Hotit.
Urdhri për ndalimin e Lekë Çekrezi, Fatjon Hamzi, Tonin Melaj dhe Selami Ethemi erdhi pasi në pikën kufitare të Hanit të Hotit ata kanë lejuar të kalojë një kamion me targa shqiptare, i cili më pas është kontrolluar sërish në pikën kufitare të Bozajt në Malin e Zi ku janë gjetur 442.084 lëndë narkotike canabis sativa.
Njoftimi:
AMP ekzekuton 4 urdhëra ndalimi për tre punonjës policie dhe një doganier
Në vijim të hetimeve disa mujore mbi procedimin penal të vitit 2023, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Shkodër – Lezhë) në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Doganor dhe Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, ka ekzekutuar urdhërat e ndalimit për tre punonjës policie dhe një doganier, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës”.
➡️ L. Ç., punonjës policie në Pikën Kufitare “Hani i Hotit”.
➡️ F. H., punonjës policie në Pikën Kufitare “Hani i Hotit”.
➡️ T. M., punonjës policie në Pikën Kufitare “Hani i Hotit”.
➡️ S. E., me detyrë Doganier në Pikën Kufitare “Hani i Hotit”.
Urdhërat e ndalimit vijnë pas hetimeve të thelluara me metoda speciale në lidhje me ngjarjen e datës 17/09/2023, ku një kamion me targa shqiptare, pasi ka kryer procedurat e daljes nga Republika e Shqipërisë nëpërmjet Pikës Kufitare “Hani i Hotit”, në kundërshtim me ligjin dhe procedurat standarde, është ndaluar nga policia e Pikës së Kalimit Kufitar “Bozaj”, Mali i Zi, pasi në kamion është gjetur një sasi prej 442.084 kg lëndë narkotike e dyshuar “Canabis Sativa”.